Bota Përfiton edhe Shqipëria, plani Scholz-Macron për “të çarmatosur” liderët e BE nga...

Përfiton edhe Shqipëria, plani Scholz-Macron për “të çarmatosur” liderët e BE nga veto

Macron dhe Scholz

Aksi franko-gjerman ka marrë në dorë reformimin e Bashkimit Europian. Presidenti Emmanuel Macron dhe kancelari Olaf Scholz kërkojnë që, para hyrjeve të reja në Union dhe para zgjedhjeve të mëvonshme europiane, t’i sigurojnë BE-së mjete vendimmarrëse efikase dhe të parandalojnë që ndërtesa europiane “të shembet” nën goditjet sovraniste.

Synimi është që të frenohet lideri hungarez, Viktor Orban, ose dikush si ai të paralizojë bllokun. Plani Macron-Scholz bazohet kryesisht në ndryshime rrënjësore, duke shndërruar votimin unanim në një shumicë të thjeshtë.

Nuk është më një sekret që ashtu si Orban që bllokoi Ukrainën, çdo lider i 27 vendeve anëtare tani përfaqëson një minë me sahat, gati për të shpërthyer vazhdimisht në zemër të BE-së dhe në rrugën e integrimit europian.

Pakti mes francezit Macron dhe gjermanit Scholz është nënshkruar në ditët para Këshillit të fundit Europian. Duke parashikuar që Hungaria do të dilte plotësisht – siç ndodhi më vonë – kundër Ukrainës dhe kundër zgjerimit të BE-së, të dy ranë dakord që në këtë pikë reforma e Traktateve Europiane, veçanërisht për rregullin e votimit në mënyrë unanime, duhet të zbatohet.

Nga ky ndryshim i politikave pritet të përfitojnë shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që ashtu si në rastin e Shqipërisë me Greqinë, kanë mosmarrëveshje dypalëshe për çështje të ndryshme.

Scholz e ka thënë dhe publikisht që procesi i zgjerimit, të paktën në rastin e Shqipërisë, të mos mbahet peng nga Athina përmes kërkesave që nuk kanë të bëjnë me plotësimin e kushteve.

Megjithatë, koha është e limituar për ta reformuar BE-në, dhe dyshja franko-gjermane duhet që deri në mesin e marsit ta përfundojë reformën.