Numri i lindjeve në Shqipëri është ulur gjatë vitit 2022, ku ka pasur 2.523 lindje më pak se në vitin 2021.
Në vjetarin statistikor të Instat shkruhet se në vitin 2022, qarku me numrin më të madh të lindjeve ishte i Tiranës, me 9.089 lindje, ndërsa qarku me numrin më të vogël të lindjeve ishte i Gjirokastrës, me 392 lindje. Në të njëjtin vit, bashkia me numrin më të madh të lindjeve ishte e Tiranës, me 7.183 lindje.
Gjatë 2022 kanë lindur më shumë meshkuj ku raporti gjinor ishte 107 lindje meshkuj për çdo 100 lindje femra. Qarku me raportin gjinor më të lartë në lindje ishte i Fierit, me 114 lindje meshkuj për çdo 100 lindje femra. Ndërsa Berati është qarku ku numri i lindjeve femra është pak më i madh se i të lindurve meshkuj, me 97 lindje meshkuj për çdo 100 lindje femra.
Edhe numri i vdekjeve në Shqipëri është ulur. Në vitin 2022 ishin 6.509 vdekje më pak se një vit më parë. Ndikuar kjo edhe nga efekti i pas pandemisë Covid-19.
Në vitin 2022, qarku me numrin më të madh të vdekjeve ishte i Tiranës, me 5.827 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të vogël të vdekjeve ishte i Kukësit me 541 vdekje. Bashkia me numrin më të vogël të vdekjeve është e Libohovës, me 29 vdekje.
Gjatë vitit të kaluar, shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri u rikthye në trendin pozitiv. Nga 3.296 vdekje më shumë se lindje në 2021, në 2022 kishte 690 lindje më shumë se vdekje.
Qarku me shtesën natyrore më të lartë ishte i Tiranës, me 3.262 lindje më shumë sesa vdekje në vitin 2022, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët ishte ai i Korçës, me 959 vdekje më shumë sesa lindje në atë vit.
Ky vit kishte gjithashtu edhe më pak martesa se një vit më parë
Në 2022 u regjistruan 18.781 martesa në zyrat e Gjendjes Civile; 4,7% më pak se një vit më parë.
Ndërkohë, qarku me numrin më të madh të martesave ishte i Tiranës, me 5.023 martesa, ndërsa qarku me numrin më të vogël të martesave ishte i Gjirokastrës, me 374 martesa.
Në Shqipëri ka pasur 6,8 martesa për një mijë banorë në vitin 2022. Më shumë martesa janë bërë në Lezhë.
Në vitin 2022, bashkia me numrin më të madh ishte e Tiranës, me 3.652 martesa, ndërsa bashkia me numrin më të vogël të martesave ishte e Pustecit, me 9 martesa.
Në vitin 2022, mosha mesatare në martesë për burrat ishte 31,2 vjet, ndërsa mosha mesatare në martesë për gratë ishte 27,8 vjet ku qarku me moshën mesatare më të lartë në martesë për burrat ishte i Gjirokastrës, me 33,5 vjet, ndërsa qarku me moshën mesatare më të ulët në martesë për burrat ishte i Dibrës, me 30,3 vjet.
Në të njëjtin vit, qarku me moshën mesatare më të lartë në martesë për gratë ishte i Gjirokastrës, me 29,5 vjet, ndërsa qarku me moshën mesatare më të ulët në martesë për gratë ishte i Durrësit, me 27,1 vjet.