Kjo do të mbetet marrëveshja e shekullit. Një tregtar bleu një maskë afrikane për 150 euro dhe ia besoi një shtëpie ankandesh. Shtëpia e ankandit ia rishiti një blerësi të panjohur për 4.2 milionë euro. Dy të moshuarit nuk do të përfitojnë asgjë, veç 150 euroshit që e shitën në fillim.
Zoti dhe zonja Fournier, të cilët vendosën të heqin qafe shpejt atë objekt të gjetur në papafingo, nuk do të mund ta rifitojnë atë dhe as të marrin dëmshpërblim. Gjykata në Alès, në jug të Francës, vendosi që ish-pronarët e maskës, një punonjës 88-vjeçar në pension dhe gruaja e tij 81-vjeçare, të cilët i ishin drejtuar një tregtari të dorës së dytë për të hequr qafe mbeturinat e grumbulluara në shtëpinë e tyre të pushimeve në Gard, nuk treguan asnjë zell në vlerësimin e saktë të objektit historik.
Ata nuk u mashtruan. Sipas gjyqtarit francez: “Ata ishin të pamatur dhe për këtë arsye duhet të fajësojnë vetëm veten e tyre“.
“Neglizhenca dhe pakujdesia e tyre bën që kërkesa për shpalljen e pavlefshme të shitjes nuk mund të pranohet”, u shpreh gjykata.
Shitësi i dorës së dytë e ka bleu për 150 euro bashkë me sende të tjera si shtizë, thikë dhe disa vegla muzikore.
Më pas, tregtari kontaktoi një shtëpi ankandi në Montpellier, e cila ekzaminoi objektin: rezultoi se ishte një maskë e rrallë Ngil e shekullit të 19-të, e bërë nga populli Fang i Gabonit, një nga rreth 10 që ekzistojnë në botë, ndoshta e blerë rreth vitit 1917 nga René-Victor Edward Maurice Fournier, guvernator kolonial francez dhe paraardhës i 88-vjeçarit.
Një ekspert tha në atë kohë se vetëm rreth 10 artikuj të tillë të bërë nga mjeshtrit e Fang gjendeshin në botë. “Kjo maskë është më e rrallë se një pikturë e Leonardo da Vinçit”, – tha ai për mediat franceze.
Tregtari mohoi të dinte se maska ishte kaq e çmuar. Por edhe shtëpia e ankandeve lëshoi fillimisht një vlerësim fillestar tepër të nënvlerësuar: rreth 300 mijë euro, të cilat shitësi i dorës së dytë ia ofroi çiftit si një demonstrim i mirëbesimit të tij. Megjithatë, ata nuk pranuan dhe preferuan ta padisin. Më pas ai tërhoqi ofertën prej 300 mijë eurosh dhe vazhdoi shitjen në ankand. Çmimi përfundimtar 4.2 milionë euro, nga i cili do të zbritet komisioni për shtëpinë e ankandit. Megjithatë, mbetet një fitim kolosal.
“Kur ke një objekt të tillë në shtëpi, duhet të jesh pak më kurioz përpara se ta japësh”, tha Patricia Pijot, avokatja e tregtarit. Dhe ai nuk i mashtroi shitësit sepse “nuk kishte ndonjë njohuri specifike të artit afrikan”, konfirmoi gjykata në vendimin e saj.
Rasti i maskës u ndërlikua edhe kur Republika e Gabonit ngriti një kallëzim penal për marrjen e mallrave të vjedhura, duke kërkuar anulimin e shitjes dhe riatdhesimin e maskës. Megjithatë, gjykata e shpalli gjithashtu të papranueshme kërkesën e Gabonit.
Megjithatë, Fourniers kanë thënë se do të apelojnë dhe Gaboni gjithashtu mund të insistojë në një tjetër procedurë ligjore. Për momentin, megjithatë, tregtari i dorës së dytë është fitues në të gjithë linjën.