Kryesore A do protestohet edhe para SPAK-ut? Si përgjigjet Sali Berisha

A do protestohet edhe para SPAK-ut? Si përgjigjet Sali Berisha

Protestën e mbajtur të hënën përballë Kryesisë së Kuvendit, Sali Berisha e cilësoi si të shkëlqyer, pavarësisht numrit të pjesëmarrësve. Në një konferencë me gazetarët, kreu i Rithemelimit deklaroi se ajo ishte e shkëlqyer pikërisht për rrethanat në të cilat u thirr.

Ndërsa, sa i përket protestës të së enjtes, Berisha thotë që, sërish prej rrethanave, vetëm një pjesë e atyre që do të duan, do të mund të jenë prezentë.

“…Kjo tjetra, duhet të kuptohet kompleksiteti i rrethanave. Vetëm një pjesë e atyre që duan të protestojnë u lejon që të vijnë në protestë. Për ne e rëndësishme është që nisin tani, për të mos i ndalur më deri në ditën e fitores.”

I pyetur nëse do të jetë mes qytetarëve për të protestuar apo në Kuvend ku do të votohet për “fatin” e imunitetit të tij, Berisha u shpreh: “Atë ditë do të jem kudo, në sallë, jashtë salle, te qytetarët dhe kudo.”

A do protestohet para SPAK-ut?

Gjatë konferencës, Berisha u pyet nëse opozita ditën e enjte, përveçse para Parlamentit, do të protestonte edhe para SPAK-ut. Berisha e la të hapur si mundësi, madje shtoi se një protestë e tillë është e vonuar.

“Vetëm qytetarët mund ta zgjidhin këtë. Protestën mund ta thërrasim edhe ne. Ne nuk mund të pranojmë të shkelmohen në mënyrë flagrante interesat e këtyre njerëzve që po largohen të vjedhur gjer në palcë. Ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë, jo absolutisht. Për dijeni, protestohet në gjithë botën para padrejtësive të organeve të drejtësisë. Siç gjykohet. Por, kësaj here ne kemi fakte. Thirren të protestojnë në mbrojtje absolute të një interesi publik. Erion Veliaj ka përdorur të gjitha lidhjet e tij, brenda dhe jashtë vendit, për të imponuar amnistinë. Ne do përdorim të gjithë forcën e qytetarëve për të bërë ligjin. Qytetarët do flasin. Nuk mundet 2, 3, 5, 10 apo më shumë individë të tallen, të vulosin, të taposin vjedhje të tilla të tmerrshme sepse vjedhin me ta”, tha Berisha.

“Gjëja më normale është protesta, bile është e vonuar. Ne ndjehemi të lirë fare, sepse ne po denoncojmë me dokumente zyrtare. Tani është koha të veprojmë”, përfundoi Berisha.