Politika A i druhet qeveria arrestimit të Veliajt për inceneratorin e Tiranës? Si...

A i druhet qeveria arrestimit të Veliajt për inceneratorin e Tiranës? Si përgjigjet Balla

Në daljen për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Taulant Ballës iu desh t’i përgjigjej pyetjes së gazetarëve lidhur me akuzat e opozitës ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në lidhje me aferën e inceneratorëve.

I pyetur nëse qeveria i druhet arrestimit të Veliajt nga SPAK, Balla zgjodhi të mos komentojë vendimet e organeve të drejtësisë, por mbrojti investimet e qeverisë për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, pasi sipas tij kryejnë trajtimin e integruar të mbetjeve.

“Mendoj që secili prej nesh që jetojmë në Tiranë e dimë fare mirë që çdo ditë mbetjet pranë çdo pallati, apo blloqe pallatesh, tërhiqen nga kompanitë që kanë për detyrë pastrimin. Të gjithë e kemi mësuar që mbetjet urbane duhen trajtuar domosdoshmërish.

Halli që i ka zënë ata që ju përmendët dhe përpjekja për të hequr vëmendjen nga halli i tyre dhe për t’u marrë me hallet e të tjerëve unë nuk do t’i jap dhe nuk i jap dot përgjigje sepse nuk më takon. Dua të sqaroj opinion se janë dy gjëra të qarta për të gjithë. Nevoja për të trajtuar mbetjet është një. Dhe kush ka gabuar me procedurat është një tjetër. Për nevojën për trajtimin e mbetjeve në mënyrë të integruar, për të inceneruar besoj që jemi sqaruar të gjithë. E vërteta është se impianti i trajtimit të mbetjeve në Elbasan dhe ai në Fier, që shpresoj të përmbyllet investimi gjatë 6 mujorit të ardhshëm që incenerimi të vijojë, dhe impianti i trajtimit të mbetjeve për kryeqytetin dhe bashkitë e Durrësit, Kavajës dhe Kamzës.

Nuk marr përsipër në asnjë moment të bëj komente dhe kurrë nuk do dëgjoni nga ana ime të bëj komente sa i përket vendimmarrjes së SPAK-ut apo Gjykatës së Posaçme pasi në këtë vend reforma në drejtësi i ka ndarë njëherë e përgjithmonë kush bën drejtësinë, kush bën hetimin dhe kush bën zbatimin e politikave”, tha Balla.