Kryesore “Tërmet” në futboll, Gjykata Europiane i jep të drejtë Superligës: UEFA dhe...

“Tërmet” në futboll, Gjykata Europiane i jep të drejtë Superligës: UEFA dhe FIFA, abuzim me pushtetin

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian i ka dhënë të drejtë Superligës, që kishte apeluar kundër monopolit nga UEFA dhe FIFA. Sipas kësaj gjykate, kemi të bëjmë me abuzim me pushtetin nga dy organet më të larta të futbollit kontinental dhe botëror.

“Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s për autorizimin paraprak të garave të futbollit mes klubeve, si Superliga, shkelin ligjin e BE-së”, theksoi Gjykata.

“Ato janë në fakt në kundërshtim me të drejtën dhe lirinë për të ofruar shërbime”, shton më tej Gjykata e BE-së, sipas së cilës “kompetencat e FIFA-s dhe UEFA-s nuk rregullohen nga asnjë kriter që garanton karakterin transparent, objektiv, jodiskriminues dhe proporcional”.

Sipas Gjykatës së BE-së, rregullat që kërkojnë autorizimin paraprak të UEFA-s dhe FIFA-s për krijimin e çdo projekti për një kompeticion të ri janë “të paligjshme”, siç janë edhe parashikimet e sanksioneve për skuadrat dhe lojtarët që do të merrnin pjesë në to.

“Organizimi i garave të futbollit dhe shfrytëzimi i të drejtave të medias përbëjnë veprimtari ekonomike. Ato duhet të respektojnë rregullat e konkurrencës dhe lëvizjes së lirë, edhe nëse veprimtaria ekonomike e sportit karakterizohet nga disa specifika, si p.sh. si ekzistenca e shoqatave me kompetenca rregullatore, kontrolluese dhe sanksionuese”, lexohet në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.

Nga grupi fillestar prej 12 klubesh që nisën Superligën në prill 2021, vetëm Reali i Madridit dhe Barcelona mbetën në fund.