Bernd Reichart, CEO i ‘A22 Sports’, që po punon për formatin e ri të Superligës, entuziast pas lajmit. Në Francë gjykojnë se asgjë nuk do të ndryshojë, kurse në Spanjë e quajnë egoist modelin e Superligës.
“Kemi fituar të drejtën të organizojmë kompeticione. Monopoli i UEFA-s ka marrë fund. Futbolli është i lirë. Klubet tani janë të lirë, nuk ka më kërcënime për sanksione. Jemi të lirë të vendosim për të ardhmen”, – ka thënë Bernd Reichart, Ceo i ‘A22 Sports’.
Pas lajmit të bujshëm, drejtuesi i kompanisë që po zhvillon projektin e ri të Superligës, ka shtuar: “Për tifozët propozojmë versionin gratis të të gjitha ndeshjeve të Superligës. Për klubet të ardhurat dhe shpenzimet e solidaritetit janë të garantuara”.
UEFA: Sentenca nuk është aprovim i Superligës
Një orë pas vendimit ka ardhur edhe reagimi i UEFA-s në lidhje me rekursin e fituar nga Superliga. Qeveria e futbollit europian nuk duket e tronditur nga ky vendim. “Sentenca nuk implikon aprovimin apo vlefshmërinë e së ashtuquajturës ‘Superligë’.
Më tepër vë në dukje një mangësi historike në kuadrin e para-autorizimit të UEFA-s, një aspekt teknik që është diskutuar dhe njohur që në qershor të 2022-shit. UEFA është besimplotë në soliditetin e rregullave të saj të reja”, – shkruhet në komunikatën e institucionit që drejtohet nga Ceferin.
“Sentenca nuk ndryshon asgjë, sepse projekti i Superligës nuk mund të konkretizohet. Nuk ka klube franceze dhe gjermane, nuk besoj se do të ketë edhe italiane. Bëjeni me Barcelonën, Realin dhe Porton, të shohim. Nga do të vinë të ardhurat? Nuk mendoj se është një mundësi”, – ka thënë Jaume Roures, aksioner në mazhorancë i ‘Mediapro’, pranë Ligue 1 në Francë.
Perez: Ditë e madhe dhe historike, e çojmë futbollin në lartësinë e shekullit XXI
Pas njohjes së vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, vjen dhe reagimi i presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, promotor i idesë së krijimit të Superligës së Europës.
“Te Reali i Madridit e mirëpresim vendimin e GJED-së. Në ditët në vijim do të studiojmë shtrirjen e kësaj rezolute.
Së pari, futbolli evropian nuk do të jetë monopol. Së dyti, klubet do të jenë zotëruesit e fatit të tyre. E shohim mundësi për të promovuar garat.
Sot triumfon Europa e lirisë, futbollit dhe tifozëve të saj. Sot mbizotëron ligji dhe liria. 70 vjet më parë ne kemi hedhur tashmë një hap themelor me krijimin e Kupës së Evropës.
Do të mbrojmë një projekt modern dhe të përputhshëm me kompeticionet kombëtare. Do të forcojë në mënyrë efektive respektin për “fair-play-n financiar”. Do të mbrojë lojtarët dhe do të emocionojë tifozët. Fushatat do të intensifikohen nga sot.
Askush nuk tha se fundi i një monopoli ishte i thjeshtë. Do të jetë një futboll në lartësinë e Shekullit XXI. Ne do të punojmë pa kërcënime, pa vepruar kundër asgjëje dhe askujt. Nga sot e tashmja dhe e ardhmja janë në duart e klubeve dhe tifozëve të tyre. Është një ditë e madhe për historinë e futbollit dhe sportit.”
Javier Tebas, presidenti i La Ligas, është më i ashëpr në reagimin e tij: “Do fillojë konfuzioni, siç e kisha paralajmëruar. Mund të bëhen gjithmonë kompeticione jashtë UEFA-s dhe FIFA-s, nuk është e ndaluar. Tema ka të bëjë me kushtet, me të cilat kompeticionet mund të bashkëjetojnë me UEFA-sn dhe FIFA-n.
Duhen rregulla transparente, të qarta për aprovimin e kompeticioneve. Jo thjesht të mohohen, nevojiten rregulla objektive, sepse nëse zgjedhja u lihet UEFA-s dhe FIFA-s, kuptohet që ka abuzim”.
Në Spanjë modelin e Superligës e shohin si një kompeticion egoist dhe elitar, që dëmton klubet e vogla.