Politika I druhet të njëjtit fat si Berisha? Meta: Kokat ende nuk po...

I druhet të njëjtit fat si Berisha? Meta: Kokat ende nuk po preken, miti i të paprekshmëve është një përrallë

Miratimin e heqjes së imunitetit të Sali Berishës, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka konsideruar si një akt që synon asgjësimin e opozitës. Në një deklaratë për gazetarët nga selia e kuqe, Meta tha se Kuvendi sot tregoi se funksionon me standardeve të dyfishta.

“Shënon një përshkallëzim të përpjekjeve të qeverisë për asgjësimin e opozitës, vendim anti kushtetues që kërkon të rikthejë Shqipërinë në kohën e partisë shtet dhe standardeve të dyfishta që ndjek ky kuvend, ndryshe për kryetarin e opozitës dhe ndryshe për përfaqësuesit e saj”, u shpreh Meta.

Ai nuk ka nguruar që të sulmojë edhe opozitën e Lulzim Bashës, të cilët sot munguan në seancë.

“Njëkohësisht pjesë e një programi për eliminimin e opozitës reale dhe instalimin e një opozite fasadë që i bën fresk dhe shërbime këtij regjimi dhe ju e dini që pak ditë më parë u ndryshua rregullorja e Kuvendit, ku tani deputetët mund të përjashtohen deri në 2 muaj, një tjetër akt anti-kushtetuese”, tha Meta.

I druhet të njëjtit fat si Berisha?

Sot Sali Berisha është përballë drejtësisë pa imunitetin e deputeti, e ndërsa ka vetë çështje të hapura në SPAK, Ilir Meta tha se nuk druhet aspak se do të ketë të njëjtin fat si aleati i tij.

“Nuk kam asnjë shqetësim, edhe vetë Berisha ka qenë i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë, ai ka kontestuar rrugën që është ndjekur, në mbrojtje të parimeve Kushtetuese dhe garancive që Kushtetuta i jep deputetit, jo si privilegj por sa i një mbrojtje”, u shpreh Meta.

Shumëkush e ka konsideruar hetimin ndaj Berishës si “arritja e drejtësisë te të paprekshmit”, mirëpo Meta nuk e konsideron kështu. Ai tha se ky është thjesht një mit, pasi “kokat” ende nuk po preken nga drejtësia.

“Nuk kam asnjëherë një lloj shqetësimi të tillë, sa i takon mitit të të paprekshmëve, mendoj se kjo është një përrallë. Ai nuk është një kryeministër në detyrë, nuk është një president në detyrë, nëse flasim për paprekshmërinë ne e shohim që nga një anë kemi një përshkallëzim të masave të sigurisë për një çështje që është kontestuar, ndërkohë kemi firmat e kryetarit të Bashkisë që ka rrëmbyer kompetencat e këshillit Bashkiak të qarkut të Tiranës për Inceneratorët, kemi firma pa fund të kryeministrit aktual dhe as nuk i përmendet emri”, përfundoi kryetari i Partisë së Lirisë.