Aktualitet Masakra në Pragë, ministri Hasani: Nuk ka shqiptarë të lënduar, solidarizim me...

Masakra në Pragë, ministri Hasani: Nuk ka shqiptarë të lënduar, solidarizim me miqtë çekë në këtë moment

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka shprehur ngushëllimet për sulmin me armë në një universitet në Pragë, ku mbetën të vrarë 15 persona.

Kreu i diplomacisë shqiptare thotë se Shqipëria solidarizohet me Çekinë në këto momente të vështira.

“Thellësisht i pikëlluar nga të shtënat tragjike në Pragë sot, që rezultuan në humbjen e disa jetëve të pafajshme. Ngushëllimet e mia të përzemërta për familjet e prekura dhe i uroj shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Shqipëria solidarizohet me miqtë tanë çekë në këtë moment të vështirë”.

Ministri i Jashtëm bën të ditur gjithashtu se nga informacionet e deritanishme, nuk ka shqiptarë të lënduar nga ky sulm me armë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Pragë. Nga informacionet e deritanishme, nuk raportohet për të lënduar me shtetësi shqiptare”.