Policia e Shtetit bëri sot bilancin e trafikut të drogës për vitin 2018, duke publikuar rezultate shumë pozitive sa i përket goditjes së grupeve ndërkombëtare që nxjerrin lëndën narkotike jashtë Shqipërisë.
Por pavarësisht se parcelat e kultivuara janë pakësuar dhe goditja e trafikantëve ka dhënë rezultat, SHBA dhe BE kanë të tjera pritshmëri nga Shqipëria dhe përfaqësuesit e tyre ia kanë thënë sot në sy Policisë së Shtetit dhe ministrit Lleshaj se duhen “ndjekur paratë” e krimit të organizuar.
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca tha se parimi ‘ndiq paratë’ është thelbësor për të ndërprerë aktivitetet kriminale.
“Shtetet anëtare të BE theksuan qershorin e kaluar nevojën kritike për rezultatet konkrete në luftën ndaj kanabisit që duhet të bëjë Shqipëria. Rezultatet e sotme janë mbresëlënëse, pasi ka pasur ulje drastike të kultivimit të kanabisit. Unë përgëzoj Policinë shqiptare dhe GDF për këto rezultate. Ne kemi parë dhe kemi dëshmuar këtë shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit, siç ishte goditja e 4 grupeve kriminale me arrestimin e 27 personave. Bashkëpunimi me agjencitë e BE do të sjellë rezultate edhe më të madha. Parimi ‘ndiq paratë’ është thelbësor për të ndërprerë aktivitetet kriminale. BE do vijojë të asistojë Shqipërinë në luftën ndaj kanabisit”, tha Soreca.
Të njëjtën linjë ka mbajtur edhe e ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Ajo i ka dërguar një mesazh të qartë institucioneve, duke thënë se Shqipëria duhet të sekuestrojë pasuritë e “baronëve” të arrestuar si Klement Balili, Met Kanani e Arbër Çekaj.
“Duhen vendosur pengesa të tjera që trafikantët mos ta shohin Shqipërinë si vend lejimi, kapja e Kelment Balilit, Arbër Çekaj duhet të shërbejnë si gurë themeli për këtë përpjekje të gjatë. SHBA është me ju, por ne varemi nga vullneti juaj i mirë dhe përpjekjet tuaja për ta luftuar krimin. Ne jemi me ju që politika mos ta mbështesë këtë aktivitet të paligjshëm. Trafiku i drogës prodhon para të pista dhe këto furnizojnë krimin e organizuar, gangsterët të cilët më pas mund ta dobësojnë pushtetin. Shqipëria duhet t’i luftojë, arrestimet duhet të pasohen me konfiskim të pasurive të kriminelëve. Sulmimi i pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike është hapi tjetër në këtë luftë”, u shpreh Leyla Moses-Ones.