Aktualitet Lejuan futjen e mallrave kontrabandë në Kakavijë, në pranga 2 doganierë, 4...

Lejuan futjen e mallrave kontrabandë në Kakavijë, në pranga 2 doganierë, 4 në kërkim

Një operacion i nisur prej mëngjesit të së Shtunës e deri në orët e para të së Dielës është zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në pikën doganore të Kakavijës në Gjirokastër.

Pas hetimeve, me urdhër të AMP është arrestuar përgjegjësi i doganës, doganieri i kontrollit fizik, ndërsa i shpallur në kërkim është një tjetër punonjës i doganës.

AMP kishte dyshime se doganierë dhe efektivë policie ishin të përfshirë në skema korruptive në lidhje me procedurat e parregullta të zhdoganimit duke përfituar shuma parash.

Gjatë orëve të operacionit janë konstatuar 1 trajler, 4 kamiona të tonazhit të rëndë si dhe mjete të tjera të mbushura me mallra që kaluan pikën kufitare pa kryer kontrolle si dhe duke i shmangur pagesave të zhdoganimit. Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbardhur edhe nëse ka zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë skemë korrupsioni.

Sipas AMP, në pranga janë vënë dhe 6 shoferë të mjeteve që transportonin mallra kontrabandë.

Njoftimi nga AMP

Strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, mbi bazën e informacioneve të administruara në rrugë operative, përgjatë aksit rrugor Kakavijë – Fier kanë ndaluar 4 kamiona të tonazhit të rëndë, një trajler me rimorkio dhe një furgon të ngarkuar me mallra të ndryshëm, të papajisur me dokumentacionin përkatës për mallrat e importuara, me qëllim verifikimin e dokumenteve, me të cilin ishin pajisur nga punonjësit e Degës Doganore Kakavijë.

Pas verifikimit të kryer, Policia Gjyqësore e AMP, në bashkëpunim me Sektorin kundër Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, kanë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;

A.A., Doganier, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Kakavijë;
⁠E.SH., Doganier fizik në Degën Doganore Kakavijë;
⁠U bë shpallja në kërkim e shtetasit A.M., me detyrë Doganier i parkimit, si dhe e 3 punonjësve të Antikontrabandës, me shërbim në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shtetasit F.R., N.S. dhe G.SH.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabandë me mallra të tjera”, i shtetasve (drejtues të automjeteve dhe posedues të mallrave të importuara);

V.D., 40 vjeç;
⁠TH.M., 48 vjeç;
⁠R.I., 41 vjeç;
⁠A.XH., 45 vjeç;
⁠A.M., 50 vjeç;
⁠F.O., 39 vjeç;
⁠U procedua në gjendje të lirë shtetasi P.Q.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetra ton mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj.

Vijon kryerja e veprimeve hetimore procedurale, për inventarizimin e mallrave të sekuestruar, këqyrjen e aparateve telefonikë celular, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e instaluara në këtë pikë doganore, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, duke u fokusuar tek punonjësit e Policisë Kufitare dhe përcaktimin e rolit të secilit prej tyre.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “Të kontrabandës me mallra të tjera”.