Extra A mund të jenë dinozaurët arsyeja pse njerëzit nuk mund të jetojnë...

A mund të jenë dinozaurët arsyeja pse njerëzit nuk mund të jetojnë deri në 200 vjet?

Të gjitha qeniet njerëzore plaken. Kjo është pjesë e biologjisë sonë dhe e kufizon jetëgjatësinë tonë në pak më shumë se 120 vjet. Por jo të gjitha kafshët përjetojnë plakje gjatë jetës së tyre. Trupat e disa kafshëve nuk degjenerojnë gradualisht, ndërsa plaken, ashtu siç ndodh me trupin tonë.

Nga Joao Pedro de Magalhaes – The Conversation

Kur njerëzit arrijnë rreth moshës 30 vjeç, shanset e tyre për të vdekur  dyfishohen afro çdo 8 vjet. Pra, edhe nëse keni fatin të mbërrini deri në 100 vjeç, shanset tuaja për të vdekur çdo vit do të jenë të larta. Kjo vdekshmëri e lartë reflekton shumë probleme të tjera shëndetësore, si humbja e masës muskulore dhe dobësia e përgjithshme, rënia e aftësive njohëse, humbja e shikimit dhe dëgjimit, dhe shumë ndryshime të tjera degjenerative që e karakterizojnë procesin e plakjes së njeriut.

Dhe arsyeja pse njerëzit plaken kaq dukshëm, mund të jetë për shkak se paraardhësit tanë evoluan gjatë epokës së dinozaurëve. Në krahasim me gjitarët e tjerë, njerëzit jetojnë më gjatë. Ne kemi jetëgjatësinë më të madhe nga të gjithë gjitarët që jetojnë në tokë, dhe nga të gjithë gjitarët në përgjithësi mund të na e kalojnë ndoshta vetëm balenat.

Unë them “ndoshta”, sepse duhet që kafshët të mbahen mbyllur diku për të bërë një studim të hollësishëm mbi jetëgjatësinë, gjë që për balenat është praktikisht e pamundur për shkak të madhësisë dhe jetëgjatësisë së tyre. Ne e dimë se disa lloje balenash dhe delfinësh kanë menopauzë , dhe se me kalimin e moshës të gjithë gjitarët tregojnë një formë të rënies të fuqisë riprodhuese.

Në fakt, të gjithë gjitarët e studiuar tregojnë plakje fiziologjike, dhe një rritje të vdekshmërisë me kalimin e moshës, edhe pse disa lloje – si minjtë dhe volat – plaken shumë më shpejt se të tjerët – si njerëzit, balenat dhe elefantët. Por shumë lloje zvarranikësh, amfibësh dhe peshqish nuk tregojnë shenja plakjeje.

Këtu përfshihen breshkat, salamandrat dhe peshqit shkëmborë. Një studim i 77 llojeve të zvarranikëve dhe amfibëve, i botuar në revistën “Science” në vitin 2022, tregoi se rritja e rrezikut të vdekshmërisë në lidhje me moshën, nuk shihet tek shumë lloje zvarranikësh dhe amfibësh.

Duket sikur këto kafshë nuk plaken fare. Disa prej tyre, si për shembull breshkat, jetojnë ndoshta më gjatë se sa njerëzit. Por nëse i studiojmë këto specie që në dukje nuk plaken për një kohë shumë të gjatë, ato do të tregojnë disa shenja plakjeje.

Por duhet pasur shumë fat për studimin e kafshëve të tilla si peshkaqeni i Grenlandës, i cili vlerësohet se jeton deri në 400 vjet. Tani për tani, mund të themi se midis zvarranikëve, amfibëve dhe peshqve, disa specie jo vetëm që jetojnë më gjatë edhe se gjitarët më jetëgjatë, por ato plaken dukshëm më ngadalë.

Përveç kësaj, disa nga këto specie që nuk plaken, rriten gjatë gjithë jetës së tyre, gjë që do të thotë se femrat e moshuara bëjnë më shumë vezë, sërish në kontrast të plotë me atë që ndodh tek gjitarët. Këto kafshë zhduken kryesisht nga ngrënia nga grabitqarët dhe nga sëmundjet. Në fakt, shumica e kafshëve në natyrë nuk ngordhin nga plakja dhe sigurisht që deri në shekullin XX, edhe shumica e njerëzve vdisnin nga sëmundjet infektive. Disa zvarranikë, amfibë dhe peshq, janë gjithashtu të njohur për aftësinë e tyre për të rigjeneruar indet.

Amfibët evoluan nga peshqit rreth 370 milion vjet më parë, dhe rreth 50 milion vjet më vonë zvarranikët evoluan nga amfibët. Më pas gjitarët evoluan nga zvarranikët rreth 250-300 milionë vjet më parë. Ne jemi të gjithë produkte të evolucionit, të cilin e shohim tek reliket, sikurse është bishti ynë rudimentar (kërbishti siç njihet sot).

Historia jonë evolucionare, mund të ketë një ndikim të thellë në kohët moderne. Për shembull, njerëzit ruajnë tipare evolucionare që nga koha kur paraardhësit tanë endeshin në savanë, mjedise që nuk janë më të përshtatshme për botën moderne, nga dëshira për të konsumuar gjëra me sheqer tek sjellja që çon në paragjykime.

Rreth 200 milionë vjet më parë, shpërthimet e mëdha vullkanike zhdukën 76 për qind të specieve detare dhe tokësore. Më pas, dinozaurët u bënë grabitqarët dominues në Tokë. Për të mbijetuar dhe për ta shmangur gjuetinë deri në zhdukje nga ana e dinozaurëve, gjitarët u bënë të vegjël, lëviznin kryesisht natën dhe ishin jetëshkurtër.

Paraardhësit tanë të kësaj kohe nuk ishin aspak si ne. Ata ishin më shumë si volat dhe minjtë, kafshë të vogla që dilnin në errësirë ​​për të kapur insekte. Nën presionin e dinozaurëve, gjitarët tanë stërgjyshorë duhej të riprodhoheshin me shpejtësi, ashtu si minjtë sot.

Dhe ashtu si minjtë dhe volat, paraardhësit tanë kishin një jetëgjatësi të pakët. Për 100 milionë vjet, gjatë epokës së dinozaurëve, gjitarët ishin në fund ose afër fundit të zinxhirit ushqimor. Gjitarët binin më shpesh pre sesa grabitqarët. Gjatë asaj kohe nuk kishte asnjë arsye që gjitarët të ruanin procese dhe gjenet që lidhen me jetëgjatësinë, siç janë riparimi i ADN-së dhe sistemet e rigjenerimit të indeve.

Hipoteza ime e bllokimit të jetëgjatësisë, sugjeron se sistemet e riparimit dhe rigjenerimit u zhdukën, u ndryshuan ose u çaktivizuan gjatë evolucionit të gjitarëve të hershëm. Kjo imponoi kufizime biologjike, që diktojnë edhe mënyrën se si plaken deri më sot gjitarët.

Pasi u zhdukën dinozaurët kur një asteroid u përplas me Tokën 66 milionë vjet më parë, gjitarët pushtuan mbarë botën. Një shumëllojshmëri mbresëlënëse speciesh, evoluoi me një shumëllojshmëri të niveleve të jetëgjatësisë.

Disa lloje, siç janë njerëzit, evoluan për të pasur një jetëgjatësi më të madhe, por ata mund ta kenë bërë atë nën kufizime të forta, që ishin mbetje nga epoka e dinozaurëve. Ne mund të krijojmë një ide duke parë speciet që nuk iu nënshtruan të njëjtave presione evolucionare si gjitarët e hershëm.

Për shembull, tuatara, një zvarranik endemik i Zelandës së Re, mund të duket si një hardhucë. Por ai u nda nga gjarpërinjtë dhe hardhucat rreth 250 milionë vjet më parë. Nganjëherë quhet një “fosil i gjallë”, për shkak të evolucionit të tij të ngadaltë.

Siç tregoi një studim i analizës së ADN-së në 2022, tuatarat mendohet se jetojnë për më shumë se 100 vjet, dhe plaken shumë më ngadalë se qeniet njerëzore. Ndoshta ato kanë ruajtur gjenet e tyre kundër plakjes, ndryshe nga gjitarët më jetëgjatë. Pra jetëgjatësia e njerëzve mund të jetë e kufizuar për shkak të historisë sonë evolucionare.

*Joao Pedro de Magalhaes, drejtues i departamentit të Biogerontologjisë Molekulare, Universiteti i Birmingemit, Angli.