Politika Berisha: Unë si Navalny, Rama si Putin. Kërkon të më arrestojë pa...

Berisha: Unë si Navalny, Rama si Putin. Kërkon të më arrestojë pa asnjë provë

Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Ai ka bërë një krahasim mes tij, si Alexei Navalny opozitarit të arrestuar në Rusi, e ndërsa Ramën e ka quajtur si Vladimir Putin.

“Putin ka zhdukur Navalny se ka frikë se mos regjistrohet si kandidat për president, Putin e ka frikë Navalny edhe në burg, Rama bëri të njëjtën gjë, nuk lejoi emrin tim të regjistrohet si kryetar i koalicionit, nuk lejoi as regjistrimin e PD nga frika dhe tmerri dhe ja ku jemi sot me një zinxhir të veprimeve antikushtetuese ka vendosur të dënojë me arrestim Berishën, pa asnjë fakt, pa asnjë provë”, tha ai.

Berisha shtoi se në procesin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, asnjë dokument nuk është firmosur nga vetë ai.

Berisha u kujdes që të theksonte se betejën e opozitë të ndërmarrë muajt e fundit, nuk e ka nisur për qëllime apo interesa personale. Për Berishën, kjo ka ardhur për shkak se është i bindur për një fitore të opozitës për rrëzimin kryeministrit Edi Rama.

“Nuk jam rikthyer për interes personal, jam kthyer që opozita të fitojë, që Edi Rama, që vota e qytetarëve të mos dhunohet më dhe nëse nuk do kisha këtë bindje nuk do investoja një ditë të vetme nga jeta ime, por kam bindjen më të thellë se mobilizimi ynë, e përmbys Edi Ramën në mënyrën më të sigurt. Nuk do vazhdoja kurrë një betejë të humbur, por jam i bindur se është në dorën tonë që ne të largojmë Edi Ramën, e vërteta është në anën tonë”, tha Berisha.

Ai shtoi se është i bindur që Ramën nuk mund ta detyrojnë ndërkombëtarët që të ndryshojë qëndrim, por vetë qytetarët. Prandaj i bëri thirrje për protestë, duke konfirmuar se do e rrëzojnë qeverinë e tij me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, pa specifikuar një mjet të vetëm.

“Ata që mund të mendojnë se ndërkombëtarët mund të detyrojnë Ramën të ndryshojnë, mashtrojnë veten e tyre, unë e njoh shumë mirë, ju qytetarë e keni në dorë të largojmë Ramën, ne e kemi në dorë, kjo kërkon që ne të jemi të vërtetë se mund të ketë zgjedhje me Ramën, pa ne duhet të përballemi, opozita e Beogradit u fut në parlament se Vucic u grabiti votën, opozita duhet të largojë me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, armikun më të egër të qenies dhe të lirisë së tyre. Kjo është rruga, dhe ju garantojë se kjo rrugë është rruga e fitores”, përfundoi Berisha në komunikimin me qytetarët në profilin e tij në “Facebook”.

Në deklaratën për mediat, Berisha u ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që e kanë akuzuar se nuk po përfill Gjykatat, Prokurorinë, pra në tërësi institucionet e drejtësisë.

“Kam përfillur Gjykatën, kam dërguar avokatët e mi. Kam përfillur prokurorinë dhe kam dërguar përballë tyre avokatët e tim, kam përfillur komisionin parlamentar dhe kam dërguar avokatët e mi, kam përfillur GJK, por çfarë nuk kam përfillur unë, nuk kam përfillur vendimin anti-kushtetues të një gjykatëseje e cila është shkarkuar nga Berisha në 8 shkurt 1996 dhe në përputhje me ligjet e këtij vendi,. Vendimet e Gjykatave për mua janë ligj, por ligjet kanë hierarkinë e tyre, në hierarkinë e tyre Kushtetuta është ligji suprem, Kushtetuta urdhëron çdo qytetarët që të mos pranojë asnjë vendim antiligjor. Pra në këtë betejë unë nuk bëra gjë tjetër veçse mbrojtja Kushtetutën”, u shpreh ai.

Duke bërë një krahasim me protestat e opozitës në Serbi, Berisha hodhi akuza se kryeministri Edi Rama është më i keq se presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Në fund, ai shtoi se me kryeministrin Edi Rama, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.