Aktualitet Zjarri në Lushnjë/ Mbi 20 persona dërgohen në spital, policëve e zjarrfikësve...

Zjarri në Lushnjë/ Mbi 20 persona dërgohen në spital, policëve e zjarrfikësve po u bie të fikët nga tymi

Zjarri i rënë në qendrën tregtare në Lushnjë vijon të jetë aktiv. Mbi 20 persona janë dërguar në spital për shkak të asfiksimit.

Ndonëse kanë nisur evakuimet nga qendra tregtare dhe pallatet ngjitur me të, ende nuk dihet se sa është numri i personave të bllokuar.

Gazetarja e Klan News Anila Sefa tha se forcat zjarrfikëse dhe të policisë po bëjnë gjithçka munden për të evakuuar njerëzit që janë bllokuar brenda.

“Unë kam parë policët e zjarrfikëses dhe ata të rendit, banorë të ndryshëm që u ka rënë të fikët për shkak të tymit të madh, edhe unë përdor maskë sepse era e sjell tymin në vende të ndryshme.”

Sipas Sefës, numri i njerëzve në momentin që ka shpërthyer zjarri ka qenë tejet i lartë, pasi po festonin ditën e Krishtlindjeve. Madje sipas gazetares, në një nga katet mendohet të kenë qenë prezentë 300 persona.

“Nuk u punua paralelisht sepse ka pasur numër të lartë, 3 kate janë biznese dhe një kat bar kafe. Kanë qenë të paktën 300 persona që kanë festuar në kohë dreke Krishtlindjet. Ka nisur zjarri në katin e katërt dhe kjo ka bërë bllokimin e njerëzve. Mes kaosit, një derë e vetme që të dalin 300 persona. Fillimisht nuk u kuptua ku ishte qendra ku ishte zjarri, situata agravoi pasi tymi u fut në çdo hyrje e çdo kat.”

E çuditshme në këtë rast është që nuk dihet numri i banorëve që jetojnë në këtë pallat.

Siç raporton Sefa, forcat “Renea” do tentojnë të ngjiten në tarracë për të shpëtuar njerëzit e ngecur brenda.