Armando Broja vazhdon të jetojë me pasigurinë rreth të ardhmes te klubi i Chelsea. Që prej fillimit të sezonit, emri i sulmuesit është përmendur vazhdimisht si i një prej lojtarëve, që blutë londinezë janë gati të sakrifikojnë në merkato dhe me afrimin e janarit kjo hipotezë bëhet e mundshme.
Portali i njohur sportiv, “Football London”, i ka kushtuar një artikull largimeve që planifikon Chelsea në janar dhe mes emrave të mundshëm është edhe ai i Brojës.
“Që nga kthimi nga dëmtimi brutal i ligamentit në sezonin e kaluar, duke gjetur golin pas vetëm 19 minutash ndaj Fulham, Armando Broja është kthyer në një aset të “nxehtë” në merkato. Futbollisti 22-vjeçar është një objektiv i vetë Fulhamit, ashtu si edhe West Ham që ka shprehur mjaft publikisht interesin për lojtarin. Pavarësisht lëvdatave nga Mauricio Pochetino gjatë gjithë sezonit. Është e mundur që futbollist i kombëtares shqiptare të bëjë një lëvizje larg “Stamford Bridge”, me blutë që raportohet se i kanë vendosur një çmim prej 30 milionë paund kartonit të tij. Ndërsa Nicolas Jackson është ende para tij në hierarki dhe me shumë njerëz që kërkojnë opsione më të njohura në sulm në dispozicion të Pochetinos, është e mundur që Broja të lëvizë, edhe pse jo për faj të tijin”, shkruan portali londinez.