Kryesore Vula e PD, Gjykata e Lartë: Apeli të marrë vendim, por me...

Vula e PD, Gjykata e Lartë: Apeli të marrë vendim, por me trupë të re gjykuese

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e ka kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Në vendimin e marrë ditën e sotme, Gjykata e lartë prishi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj”.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë argumenton se konflikti mes palëve se kujt i takon vula dhe logo e Partisë Demokratike është çështje që zgjidhet vetë nga kjo gjykatë.

“Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim. Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë”, thuhet në vendimin e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.

Për këtë arsye, kjo gjykatë ka vendosur që kjo çështje të rikthehet për rishqyrtim në Apel me një tjetër trupë gjykuese.