Ekonomi Çmimi i naftë bie 2% mes shqetësimeve për sulmet në Detin e...

Çmimi i naftë bie 2% mes shqetësimeve për sulmet në Detin e Kuq

Çmimet e naftës ranë gati 2% të mërkurën, duke eliminuar rritjen e një dite më parë, ndërsa investitorët ndjekin nga afër zhvillimet në Detin e Kuq, ku janë rikthyer anijet tregtare pavarësisht sulmeve të mëtejshme të martën.

Nafta e papërpunuar u shit me 79.65 Dollarë për fuçi ndërsa cilësia më e ulët u shit me 74.11 Dollarë për fuçi.

Kompania daneze Maersk tha se ka planifikuar dërgesat me disa dhjetëra anije përmes Kanalit të Suezit dhe Detit të Kuq në javët e ardhshme, pasi më herët këtë muaj bëri thirrje për një ndalim të përkohshëm pas sulmeve nga grupi Houthi i Jemenit që mbështetet nga Irani.

Kompania franceze CMA CGM tha gjithashtu se po rifillonte transportin përmes Detit të Kuq pas vendosjes në rajon të një force ushtarake shumëkombëshe.

“Mendoj se duhet të presim dhe të shohim nëse patrullimet e shtuara detare dhe ndryshimi i rrugës së anijeve do të çojnë në një rënie të sulmeve”, tha Callum Macpherson me grupin e investimeve Investec.

Mundësia e një fushate të zgjatur ushtarake izraelite në Rripin e Gazës mbetet shtytësi kryesor i tregut të naftës. Forcat izraelite goditën Gazën qendrore nga toka, deti dhe ajri të mërkurën, një ditë pasi shefi i Shtabit të Izraelit, Herzi Halevi, u tha gazetarëve se lufta do të vazhdojë “për shumë muaj”.

Ndërkohë, ngarkesat e naftës në portin rus të Detit të Zi në Novorossiisk u pezulluan për shkak të një stuhie. Megjithatë, Ministria e Energjisë së Kazakistanit tha se terminali i Konsorciumit të Gazsjellësit Caspian (CPC) pranë portit ishte i hapur.

Në Shtetet e Bashkuara, sasia e naftës së papërpunuar u rrit javën e kaluar me 1.84 milionë fuçi, sipas burimeve të tregut që cituan të mërkurën shifrat e Institutit Amerikan të Naftës.

Nxjerrja e naftës në Rusi, prodhuesi i tretë më i madh në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, pritet të jetë i qëndrueshëm ose të rritet vitin e ardhshëm, pasi Moska ka anashkaluar sanksionet perëndimore, thanë analistët./VOA