Ministri i Jashtëm, Igli Hasani gjatë konferencës me gazetarët paralajmëroi vizitën e ministrit të Jashtëm turk në Shqipëri në fund të muajit Janar.
Ministri Hasani u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë një tjetër histori suksesi dhe do të vazhdojë angazhimi për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet me Republikën e Turqisë, janë një tjetër histori suksesi. Është një tjetër marrëdhënie që ne mburremi që kemi arritur një nivel të tillë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan në fund të Janarit do të vizitojë Tiranën dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi për ta thelluar bashkëpunimin”, tha Hasani.
Ngërçi me Greqinë
“A ka një negociatë mes Tiranës zyrtare dhe Athinës zyrtare për pasuesin apo kujdestarin e ri të Bashkisë Himarë, referuar këtu njoftimit të kryeministrit për të larguar Jorgo Goron si një hap drejt zgjidhjes së ngërçit me Greqinë?”, ishte kjo një nga pyetjet që ju drejtua ministrit Hasani gjatë konferencës për mediat në bilancin e punëve të bëra për vitin 2023 dhe prioritetet për 2024-ën.
Duke mos preferuar të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë, ministri Hasani tha se shpreson që të gjitha problematikat të anashkalohen në vitin 2024 dhe Shqipëria të hyjë në Vitin e Ri me ide të qarta drejt të qënit një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian.
“Ka negociata, ka ide, ka angazhim serioz nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje e cila do të japë një dinamikë të re për 2024-ën. Ne po vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona që angazhimi i Shqipërisë në raport me rrugën drejt BE të jetë sa më i qartë. Të gjitha detyrimet që kemi marrë përsipër të jenë të realizuara që në momentin e parë, organizimi i Konferencës së Dytë Ndërqeveritare të jetë një pjesë që do t’i lidhet të gjithë këtij kontributi që është dhënë deri më tani. Shpresojmë që në fillim të 2024-ës, Konferenca e Dytë Ndërqeveritare të realizohet dhe të gjitha problematikat të anashkalohen dhe ne të hyjmë në 2024-ën me ide të qarta drejt të qenit një anëtar i ardhshëm i BE. Ne na duhet të thellojmë reformat dhe të marrim përsipër detyrimet që ne vetë i kemi pranuar”, tha Hasani.
Serbia mund të sulmojë përsëri Kosovën?
Ndërsa teksa u pyet lidhur me situatën në Kosovë dhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Serbia mund të sulmojë përsëri Kosovën, Hasani u shpreh se dy vendet mbajnë njëri-tjetrin të informuar mbi situatën në rajon.
“Qeveritë janë në kontakt. Unë jam në kontakt me ministren e Jashtme dhe një gjë është e qartë e pandryshueshme dhe konstante që Kosova nuk do të ketë aleat më të fuqishëm se Shqipëria dhe SHBA dhe se Kosova integriteti i saj ruhet nga NATO dhe gjithçka tjetër është pjesë e komunikimit frekuent. Mbajmë njëri-tjetrin të informuar mbi situatën në rajon”.