Politika Berisha: Në janar do të ketë protesta, do ndërpriten kur të përmbyset...

Berisha: Në janar do të ketë protesta, do ndërpriten kur të përmbyset Edi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha paralajmëron se në muajin Janar do të vazhdojnë protestat e opozitës.

Në konferencën për shtyp me gazetarët nga selia blu, Berisha tha se demokratët do të përballen me atë që ai e quan diktaturë.

Ndërsa thekson se protestat do të ndalojnë kur të rrëzohet nga pushteti Kryeministri Edi Rama.

“Protesta do ketë në muajin Janar. Tani gjithmonë del e qartë dhe gjithçka varet nga vendimi i qytetarëve për t’u përballur me diktaturën e re, me narkodiktatorin dhe armët e diktaturës, skapin dhe armët e tjera të saj sepse tani ne jemi në këto kushte. Do fillojnë në Janar dhe do ndërpriten ditën që do përmbyset Edi Rama. Tani është kohë beteje. Ka vullnet të hekurt nga demokratët, ju garantoj, do mobilizohen edhe më shumë dhe protesta zëri ynë kurrë nuk do të shuhet”, u shpreh Sali Berisha.

Në rast se ndaj tij, Gjykata do të vendosë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ish-kryeministri thotë se do të delegojë Sali Berishën në takimet me deputetët demokratë.

I pyetur nëse do të jetë teknologjia që do e bëjë të mundur një gjë të tillë, kryedemokrati preferoi të mos kthente përgjigje direkte duke rithënë se “do të delegojë Sali Berishën” në takimet politike.

Pyetje: Ju prej muajsh jeni duke zhvilluar takime me grupimin tjetër, atë të Gazment Bardhit dhe deputetëve që mbështesin atë. Në rastin se ndaj jush merret masa për “arrest shtëpie”, kë do të delegoni për të përfaqësuar grupin tuaj në këto mbledhje, në këto takime që zhvilloni me Gazment Bardhin?

Sali Berisha: Sali Berishën, do të delegoj Sali Berishën.

Pyetje: Teknologjia, apo…?

Sali Berisha: Sali Berishën, Sali Berishën.