Sport Dhuna në ndeshjen e femrave, Komisioni i Disiplinës merr vendimin për Tirana-Vllaznia

Dhuna në ndeshjen e femrave, Komisioni i Disiplinës merr vendimin për Tirana-Vllaznia

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka zbuluar vendimet e marra, në lidhje me ngjarjet e fundit të ndodhura në futbollin shqiptar.

Pas hetimit disa javor, më në fund është marrë një vendim për dhunën në ndeshjen e femrave mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Klubi shkodran, është dënuar me humbjen e ndeshjes në tavolinë, ndërsa skuadrës kryeqytetase i janë zbritur 3 pikë në renditje. Gjithashtu, janë përjashtuar nga aktivitetet futbollistike për këtë sezon, drejtoresha e Tiranës, Ardenisa Aliaj dhe presidenti i Vllaznisë, Lazër Matija.

VENDIMET:

KF Tirana Femra, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes dhe për pasojë ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes midis KF Tirana Femra kundër KF Vllaznia Femra, në bazë të neneve 6/3/g, 16/1, 17/1 të KDE, dënohet me zbritjen e 3 (tre) pikëve në klasifikim.

KF Vllaznia Femra, për shkaktimin e ndërprerjes së ndeshjes kundër KF Tirana Femra, duke qenë përgjegjëse për aktet e dhunës dhe shkeljen e rregullave themelore të sjelljes së mirë, në bazë të neneve 6/3/j, 16/1, 17/2/a, 17/2/h të KDE, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0.

Zyrtari i KF Vllaznia Femra, Lazer Matija, për sulm fizik ndaj lojtareve dhe zyrtareve të ekipit kundërshtar, duke shkaktuar akte dhune ne ndeshjen midis KF Tirana Femra kundër KF Vllaznia Femra, në bazë të neneve 6/2/a, 14/1/h dhe 14/1/i të KDE dënohet përjashtim nga aktiviteti për sezonin futbollistik 2023-2024. Në zbatim të neneve 6/2/b dhe 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.

Zyrtarja e KF Tirana Femra, Ardenisa Aliaj, për sulm fizik ndaj lojtareve dhe zyrtareve të ekipit kundërshtar, duke shkaktuar akte dhune ne ndeshjen midis KF Tirana Femra kundër KF Vllaznia Femra, në bazë të neneve 6/2/a, 14/1/h dhe 14/1/i të KDE dënohet përjashtim nga aktiviteti për sezonin futbollistik 2023-2024. Në zbatim të neneve 6/2/b dhe 6/2/c të KDE, zyrtares i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.