Rritja e çmimit të vezëve në mbarë Rusinë ka lënë shije të hidhur te popullata vendase, aq sa një atentat është shkaktuar prej saj.
Shënjestër e atentatit të mbetur në tentativë ka qenë Genadi Shiryaev, kreu i fermës së shpendëve “Tretyakov”, e vendosur në rajonin e Voronezh.
Shiryaev, i cili ka qenë edhe deputet i Dumës ruse, teksa ishte duke drejtuar makinën e tij në autostradën Kursk-Saratov ra pre e një sulmi me armë.
Ngjarja ndodhi dy kilometra larg shtëpisë së tij, teksa një person i panjohur qëlloi dy herë në drejtim të fuoristradës që ai drejtonte, por Shiryaev nuk pësoi asnjë lëndim.
Sulmi me armë ndaj Shiryaev ndodhi dy ditë pasi Zyra e Shërbimit Federal të Antimonopolit nisi një hetim kundër pularisë së tij për shkak të rritjes së madhe të çmimit të vezëve.
Rritja e çmimit të vezëve ka shkaktuar revoltë në Rusi, kjo edhe për shkak se konsumi i vezëve rritet ndjeshëm në prag të festave të fundvitit, pasi përdoret në shumë receta gatimesh.
Sipas të dhënave të fundit 10 kokrra vezë kushtojnë rreth 4 dollarë amerikanë, një çmim tepër i lartë krahasuar me standardet në Perëndim.
Edhe sanksionet kanë ndikuar në rritjen e çmimit, duke ndaluar importimin e një sërë makinerish që përdoren për automatizimin e ushqimit të pulave dhe mbledhjes së vezëve.