Aktualitet Mashtronin shtetas grekë dhe transferonin shuma parash nga llogaritë e tyre bankare,...

Mashtronin shtetas grekë dhe transferonin shuma parash nga llogaritë e tyre bankare, dy të rinj në pranga

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kriptonite” janë arrestuar dy të rinj pasi mashtronin shtetas grekë duke ju marrë të dhënat e llogarive bankare dhe duke transferuar shuma parash nga llogaritë e tyre në llogari të tjera të paidentifikuara nëpër agjentëve fiktivë.

Konkretisht, janë vënë në pranga: Kanan Hani 31 vjeç, banues në Tiranë; Kristjan Feçanji, 29 vjeç, banues në Korçë.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 2, te bulevardi “Republika”, në Korçë, në një subjekt tregtar në pronësi të shtetasit K. H., kanë gjetur të punësuar në mënyrë të jashtëligjshme 7 punonjës, të cilët ishin të padeklaruar në organet tatimore. Gjithashtu, nga këqyrja e pajisjeve kompjuterike të vendosura në këtë ambient, janë gjetur lista emërore me kontakte telefonike dhe foto të dokumenteve të identifikimit të shtetasve grekë, fatura transaksionesh bankare, fatura fiktive në kriptomonedha “Bitcoin”, adresa kriptovalutash etj. Nga verifikimet e kryera rezultoi se pajisjet kompjuterike përdoreshin nga këta shtetas, për të mashtruar shtetasit grekë, të cilëve iu merrnin të dhënat e tyre personale bankare, me të cilat ndërhynin në llogaritë e tyre, nëpërmjet agjentëve fiktivë, për të transferuar shuma parash në llogari të ndryshme të huaja, të paidentifikuara”, njofton policia.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike, që përdoreshin në këtë veprimtari të paligjshme.

Vijon puna hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara prej saj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.