Sali Berisha nuk pret të shtunën një vendim tjetër nga gjykata, përveç arrestit në shtëpi, duke e parë të gjithë procesin ndaj tij si një proces politik.
“Si mund të mendoni ndryshe, kur i gjithë establishmenti i diktaturës së bandave u vu në garë se kush të dëshmojë më shumë zellin në hakmarrjen e tij politike në funksion të Edi Ramës,” tha zoti Berisha gjatë një interviste për emisionin “Pa censurë” në RTSH, pak orë përpara se gjykata të vendosë për arrestin ose jo të tij, si masë e kërkuar nga SPAK-u.
“Procesi është oruellian, është kafkian. Procesi tregoi të gjithë shëmtinë e këtij regjimi, që s’ka ligje, s’ka moral,” u shpreh ish-kryeministri, i cili përdori një gjuhë më të ashpër se zakonisht ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.
Por a është ai një majtist, siç thotë Berisha apo një proamerikan, që ndjek një axhendë të caktuar të ambasadës amerikane? Zoti Berisha përgjigjet: “Për sa i përket proamerikanizmit, nuk mund të them se çfarë përfaqëson, por ai ndjek axhendën e Edi Ramës. Kam denoncuar në gusht dy takime të tij të fshehta, jozyrtare me Edi Ramën. Është takuar dy herë me të në harkun kohor dyjavor.”
Gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, kreu i opozitës u përpoq të përçonte tek mbështetësit frymë optimizmi, edhe kur u pyet, nëse izolimi eventual mund t’ia vështirësojë komunikimin me elektoratin.
“Përkundrazi, më frymëzon më shumë. Nuk fitohet kurrë një betejë pa frymëzim. Frymëzimi është energjia e çdo fitoreje. Ka 120 mijë mënyra për t’ia komunikuar këtë frymëzim elektoratit. Nuk ka mure, nuk ka pengesa që ndalojnë komunikimin e idealeve,” tha zoti Berisha me po aq besim saç foli dhe për suksesin e protestave për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Rama përpara zgjedhjeve.
“Protestat tona do të jenë mosbindje civile. Ne kemi përpara një diktaturë bande. Dikur, Enver Hoxha kishte luftën e klasave si forcë shtypëse të shoqërisë, sot Edi Rama ka aleancën me krimin si forcë shtypëse të shoqërisë. Arma për të zgjuar luanin e fjetur tek qytetarët e trembur është aksioni me mosbindje civile”.
Berisha nuk dha detaje dhe nuk ishte konkret sesi do të zhvillohet ky aksion, por ai ishte më konkret, kur u pyet për bashkimin në një formacion politik me grupin parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi. Një proces në dukje i mbetur pezull, por që, mesa duket, ka lëvizje larg vëmendjes së medias.
Pjesë nga intervista me kryetarin e PD-së, Sali Berisha
Elona Meço: Nga ana tjetër, është lënë pezull dhe procesi i nisur bashkimit me pjesën tjetër të grupit parlamentar. Pse po vonoheni kaq shumë? Keni diferenca?
Sali Berisha: Është në proces të vazhdueshëm dhe do të kurorëzohet me sukses.
Elona Meço: Ka negociata që ne nuk i dimë?
Sali Berisha: Janë të gjitha zhvillimet në këtë drejtim të sigurta.
Elona Meço: Pra jeni i kënaqur me bisedimet me palën tjetër? Nuk ka ngecje?
Sali Berisha: Jam fare i kënaqur me ecurinë. Jam i vetëdijshëm se problemet ekzistuan, se problemet po shkojnë duke u shëruar. Koha është gjithnjë e rëndësishme. Shpreh këtu mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë deputetët që asgjësuan parlamentin monist dhe me qëndrimet e tyre u bënë protagonistë të pamposhtur të zërit të 600 mijë shqiptarëve. Nuk ka bashkim më të shkëlqyer sesa bashkimi në betejë.
Tek deputetët dhe drejtuesit e një force politike demokratike, vijat e kuqe nuk ekzistojnë. Secili është i lirë. Nuk jemi ne partia e krimit. Nuk jemi ne partia që kemi hequr votën.
Elona Meço: T’ju gjej unë një vijë të kuqe. Vendi i kryetarit nuk është vakant apo jo?
Sali Berisha: Kryetari është në detyrë, sa për dijeni. Nëse njëri thotë këtë apo atë, nuk ka asnjë vijë të kuqe për ta thënë, por problemi është që statuti përcakton se kryetari është në detyrë të plotë.
Elona Meço: Kur thoni që procesi po ecën mirë dhe do të mbyllet shpejt, kur ndodh kjo?
Sali Berisha: Nuk është një proces që mund të thuhet se mbyllet pas 3 ditësh apo pas 5 ditësh, por është një proces që po mbyllet. Këtë mund ta them me siguri. Dhe po mbyllet në mënyrën më të natyrshme, si një mirëkuptim midis bashkëluftëtarëve që e kuptojnë se sot PD është shpresa e fundit e shqiptarëve.
Elona Meço: Dhe nëse ju jeni në arrest shtëpie, a e pengon kjo procesin e bashkimit?
Sali Berisha: Jo përkundrazi! E frymëzon.