Në një konferencë me gazetarët në mbyllje të këtij viti, kreu i qeverisë Edi Rama është pyetur nëse e konsideron masën e re të sigurisë ndaj paraardhësit të tij Sali Berisha, si një fitore për Partinë Socialiste. Kjo për faktin se kanë qenë Taulant Balla dhe Erion Braçe që e kanë çuar çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani para dyerve të drejtësisë.
Kryesocialisti deklaroi se arrestimi i një dikujt nga cilado parti nuk mund të cilësohet si fitore.
“Partitë fitojnë zgjedhje për të çuar përpara vendin, dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët, në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër. Nuk e shoh në asnjë formë si një fitore të PS.”
Megjithatë, pavarësisht punës së bërë nga drejtësia e re këto vitet e fundit, Rama theksoi se në Shqipëri nuk do të ketë drejtësi derisa të vendosen përpara drejtësisë “vrasësit dhe urdhëruesit e 21 janarit.”
“Pa u vënë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre…drejtësia do të jetë e gjymtuar moralisht dhe e pamjaftueshme sa i përket fuqisë së saj. 21 janari dhe gjykimi i tij do të vendosin një gur të palëvizshëm për deri ku mund të shkojë ushtrimi i forcës represive të shtetit si rezultat i abuzimit me të nga persona të veshur me pushtet. Këtë e kam në parim. Për rastin konkret nuk kam asnjë koment,” deklaroi kryeministri Edi Rama.
Kujtojmë se gjykata zëvdnësoi sot masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” në “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Po ashtu, kreut të Rithemelimit i është caktuar mbikqyrje policore dhe pengim të komunikimit me persona te tjerë.