Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur njeriun e vitit 2023 në konferencën e fundvitit. Ai është shprehur se pa më të voglin dyshim, njeriu i vitit për të është trajneri i Kombëtares së futbollit, braziliani Sylvinho.
Ndërkohë, i pyetur për njeriun më të keq, tha se nuk e njeh.
“Sa i përket njeriut të vitit, kjo nuk ka asnjë diskutim. Besoj me konsensus mbarë kombëtar. Njeriu i vitit është Sylvinho për mua. Nga ana tjetër, besoj që është fat edhe privilegj që të jesh në këtë detyrë dhe ta kesh parë dy herë kombëtaren të shkojë në Europian. Unë nuk e fus te sukseset apo arritjet e qeverisë sepse përndryshe do ta kisha thënë.
Ajo që ka bërë trajneri i ekipit tonë kombëtar me stafin e tij, ajo që ka bërë ekipi jonë kombëtar është diçka që merr konsensus të plotë si gjëja më e bukur që ka ndodhur këtë vit. Nuk besoj se ka diskutim për këtë. Njeriu më i keq për vitin?! Nuk e njoh”, tha Rama.