Për Gazment Bardhin masa e caktuar këtë të shtunë nga Gjykata e Posaçme ndaj kryedemokratit Sali Berisha është abuzim me ligjin dhe një vendin i paarsyeshëm.
“Tejkalimi i nevojës, veprimeve të arsyeshme dhe abuzimi me masat shtrënguese kthehet vetvetiu në padrejtësi. Opozita vërtetë nuk ka betejë me drejtësinë, por e kundërta e kësaj duhet të jetë edhe më e zëshme: drejtësia nuk mund të ketë betejë, përtej asaj që dikton ligji, me opozitën. E në këtë drejtim, një deputeti nuk mund ti pezullohet ushtrimi i funksionit, që defacto arrihet nëse atij i ndalohet komunikimi dhe përmbushja e veprimtarisë politike, qoftë edhe në kushte izolimi, sepse këtë nuk e lejon shprehimisht ligji. Abuzimi me ligjin në këtë rast, duke izoluar Sali Berishën në kushte që nuk aplikohen as për të burgosurit, është qartazi i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe një tejkalim që lë shijen e përndjekjes politike ndaj opozitës”, shprehet kreu i grupit parlamentar të PD në një deklaratë për mediat.
Sipas Bardhit, “përndjekja politike ndaj opozitës do ta radhiste Shqipërinë krah Rusisë, dhe jo krah vendeve të NATO-s apo BE-së. Në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, cilido mund të hetohet dhe nëse rezulton i fajshëm të dënohet. Por në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, askush nuk mund të përndiqet politikisht, askush nuk duhet të trajtohet përtej standardeve që lejon ligji dhe janë të nevojshme në një shoqëri me drejtësi dhe barazi. Abuzimi, tejkalimi dhe mungesa e arsyes janë gjithmonë PADREJTËSI!”.
Gjykata e Posaçme pranoi ditën e sotme kërkesën e SPAK duke ndryshuar masën e sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore, duke i ndaluar edhe kontaktet.
SPAK kërkoi ashpërsimin e masës së sigurisë për Berishën me argumentin se ai nuk zbatoi vendimin që e detyronte atë të paraqitej në Policinë Gjyqësore, dhënë nga e njëjta gjykatë në Tetor të këtij viti. Berisha dhe avokatët e tij pretendojnë se ajo masë ishte anti-kushtetuese sa kohë doli pa leje nga Kuvendi sepse ish-kryeministri gëzonte imunitetin e deputetit.
Prokuroria e Posaçme po e heton Berishën me dyshimet se është përfshirë në korrupsion në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Akuzë, e cila është mohuar nga ish-kryeministri që e konsideron hetimin ndaj tij si politik. Për të njëjtën çështje, në arrest shtëpie po qëndron edhe dhëndri i tij, Jamarabër Malltezi.