Kryesore Një vit nën shenjën e SPAK-ut

Një vit nën shenjën e SPAK-ut

Në Shqipëri, Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme u vunë në qendër të vëmendjes gjatë vitit 2023. Një numër i madh politikanësh, funksionarësh apo ish zyrtarësh, kryesisht të niveleve të larta të pushtetit qendror dhe atij lokalë, kapërcyen gjatë vitit, pragun e godinës së SPAK-ut në Tiranë, prej nga jo të gjithë dolën prej andej. Si kurrë më parë, Drejtësia nuk po stepej dhe para emrave me peshë. Arrestimet dhe hetimet që përfshinë emra të rëndësishëm të socialistëve, ishin goditje jo të vogla për shumicën në pushtet, e cila bëri disa ndryshime në qeveri, ndërsa më herët kishte arritur fitoren më të thellë të regjistruar ndonjëherë në zgjedhjet vendore të 21 majit. Një fitore e favorizuar dukshëm dhe nga një opozitë e përçarë dhe në ditët e saj më të errëta. Ish kryeministri Sali Berisha përfundoi po ashtu nën hetim, ndërsa sfida e tij ndaj gjykatës përfundoi me arrestin e tij në shtëpi. Një tjetër arrestim, ai i kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, u shoqërua me pasoja, për nisjen e bisedimet për grup kapitujt e parë me Bashkimin Europian. Greqia u hakmorr, duke përdorur veton e saj.

Shqipëri, ngjarjet kryesore të vitit 2023

Inceneratorët

Dy dosjet e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit ishin mbyllur që më parë dhe në muajt e parë të këtij viti ato shkuan për gjykim. Ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako, si dhe sipërmarrësit e përfshirë në këto dy projekte, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja, konsiderohen përgjegjësit kryesor. Mbi ta rëndonin dhe akuzat më të rënda.

Ndonëse ishte pranuar gjykimi i shkurtuar, proceset u mbyllën vetëm në vjeshtë.

Për 21 të pandehurit në rastin e inceneratorit të Fierit vendimet u dhanë në fund të shtatorit. Ish-ministri Koka u gjet fajtor për tre akuzat e ngritura ndaj tij, nga “shpërdorimi i detyrës”, te “korrupsioni” apo dhe “pastrimi i parave’. Ashtu siç ishte kërkuar nga Prokuroria, Gjykata e Posaçme e dënoi atë me 10 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar, i zbatuar për të gjithë të pandehurit, u reduktuan në 6 vjet e 8 muaj burgim.

Ish deputeti socialist Alqi Bllako, i akuzuar për “shpërdorim të detyrës” dhe “korrupsion”, në dy raste, përfitoi jo vetëm nga ulja me një të tretën, por dhe për shkak të rikualifikimit të akuzës, duke mos u konsideruar funksionar i lartë publik, por nëpunës publik. Përfundimisht dënimi me 4 vjet u konvertua në 2 vjet e 8 muaj burgim.

Me 6 akuza mbi shpinë, nga korrupsioni në disa raste dhe forma, te mashtrimi, pastrimi i parave apo krjimi i skemave mashtruese, sipërmarrësi Klodian Zoto, i përfshirë dhe në rastin e Elbasanit, u dënua me 8 vjet burgim, pasi iu zbritën 4 vite dënim për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Dënime më të ulta përfituan anëtarët e komisioneve të dhënies së koncesionit, drejtues të inceneratorit, apo dhe të firmave private të përfshira në skema mashtrimi me faturat gjatë punimeve të ndërtimit të objektit.

Dhjetë ditë më pas, vendimi për inceneratorin e Elbasanit. Ish ministri Koka, përfiton nga rënia e akuzës për “Shpërdorim detyre”, duke u gjetur fajtor vetëm për korrupsion dhe pastrim parash. Ai u dënua me 5 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa iu hoq e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare. Gjykata vendosi të lirojë nga sekuestro disa pasuri të zotit Koka, duke e mbajtur këtë masë vetëm për një prej pronave të tij, një kantinë vere.

Gjykata rrëzoi akuzën e shpërdorimit të detyrës për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i cili sipas prokurorisë kishte mbajtur lidhje direkte me sipërmarrësit e përfshirë në kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, duke i informuar ata në vazhdimësi për ecurinë e procesit. Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar për të, dënimin me 2 vjet e 8 muaj burgim, por gjykata vendosi ta shpallë atë të pafajshëm.

Dënimet më të larta u dhanë për dy nga sipërmarrësit e përfshirë në garën dhe ndërtimin e inceneratorit, Mirel Mërtirin, i konsideruar nga prokuroria si pronari i vërtetë i shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, e cila fitoi koncensionin, dhe Klodian Zoton, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar për ta u reduktua nga 10 vjet në 6 vite e 8 muaj burg.

Dy sipërmarrësit akuzohen për korrupsion në bashkëpunim dhe pastrim parash. E njëjta akuzë mbeti në fuqi dhe për bashkëpunëtoren e tyre Stela Gugallja, ortake e vetme dhe administratore e “Albtek Energy”. Por dënimi prej 7 vitesh burg për të, u konvertua në 4 vite e 8 muaj burg.

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kishte bërë përpara dhe me inceneratorin e Tiranës. Më 1 gusht u njoftua se Gjykata kishte pranuar kërkesën për vënien nën sekuestro të impiantit. Sipas hetimeve, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, kishin rezultuar të ishin pronarët “de facto” të tij. Përmes faturave falso, ata dyshohen të kenë përfituar afro 4 milionë euro. Atyre u sekuestrohet dhe një sipërfaqe trualli me vlerë 1 milion euro.

I vënë në shënjestër të akuzave nga opozita për inceneratorin e kryeqytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reagoi duke shkruar në Twitter se “heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK, është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”.

Disa muaj më pas (8 dhjetor) një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe një ndër drejtorët më me peshë në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha, do të arrestohet së bashku me një ish drejtor tjetër. 15 urdhërat e arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme do të përfshijnë dhe ish zyrtarë të lartë të ministrisë së Mjedisit, e sërish dy sipërmarrësit Zoto e Mërtiri si dhe ish ministrin Koka e ish Sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit, ish deputetin Bllako.

Hetimet do të nxjerrin në pah se si makineria shtetërore kishte qenë gati e tëra në shërbim të biznesmenëve Zoto dhe Mërtiri. Aktet e Prokurorisë dëshmuan se ishin ata që kishin kontrolluar të gjithë procesin nga fillimi deri në fund, ndërsa funksionarët shtetërorë të përfshirë, kujdeseshin të mbyllnin procedurat pa vonesë, sipas interesave të dy sipërmarrësve.

Arben Ahmetaj, nga majat e pushtetit në arrati

Inceneratorët do t’i digjnin karrierën dhe një tjetër figure të lartë politike. Goditja e parë atij i erdhi në korrik të 2022 kur papritur e pa veten jashtë qeverisë ku kishte qenë numri 2 i saj, dhe i përkedheluri i kryeministrit Rama. Disa javë më pas, atij do t’i hiqeshin dhe postet politike në parti. Shumëkush e pa këtë si preludin e një të ardhmeje të zymtë për të, ndërsa intensiteti i akuzave publike ndaj tij, për përfshirje në rastin e inceneratorëve, erdhi duke u rritur.

Në fillim të vitit ai polemizon në distancë me zotin Rama gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në TV Klan. “Të bëjë atë që bën më mirë, kryeministrin. Gjykatësi është pak i sikletshëm. Duhet të njohësh procedurat dhe detajet”, deklaroi ai më 23 shkurt. Dy javë më pas, kryeministri Rama kundërpërgjigjet duke u shprehur që “nëse unë do të kisha bërë gjykatësin, gjërat do të kishin qenë shumë më keq, për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.

Po në këtë periudhë, Prokuroria e Posaçme ndërmerr veprime konkrete ndaj ish zëvendëskryeministrit i vënë nën hetim për të paktën 4 vepra penale nga “shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”.

Banesat e bashkëjetueses së tij si dhe ajo e ish bashkëshortes i nënshtrohen kontrolleve, (më 15 mars) ndërsa pak ditë më pas vihen nën sekuestro dy vila në bregdet të regjistruara në emër të tyre.

Më 22 qershor zoti Ahmetaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme prej nga doli pa bërë shumë komente e duke përsëritur se “Sqaruam pozicionin. Kaq”.

Dy javë më pas në parlament shkon kërkesa për arrestimin e tij, (7 korrik) në të cilën ngrihen dyshime për lidhje me sipërmarrësit e inceneratorëve, përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e koncesioneve. Po ashtu prokuroria flet për transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, e pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një mori aktesh të ndërmarra në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier janë provat që Prokuroria e Posaçme ka kundër tij.

Por ndërsa në Parlament debatohet për seancën e marrjes në shqyrtim të kërkesës, mësohet se zoti Ahmetaj, është larguar nga vendi pak orë përpara se shkresa të dilte nga Prokuroria. Ai rezultonte të kishte kaluar kufirin tokësor me Greqinë.

Avokatët e tij e pranojnë pak ditë më pas se “ndodhet në Angli, pranë familjes, vajzës së tij. Do të vijë, kur të ketë liri”.

Vetë zoti Ahmetaj, pak përpara votimit në Parlament, përmes një postimi të gjatë në Facebook, bëri të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet, dhe se kjo mund të ndodhte “kur e vërteta të marrë rrugë e dritë”.

Thuajse në unanimitet, Parlamenti miraton autorizimin për arrestimin e tij. Në mbrëmje kryeministri do të deklaronte se “ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u”.

Pak ditë më pas Prokuroria sekuestroi 4 apartamente në pronësi të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe dy llogari bankare të tij ku ishin depozituar mbi 124 mijë euro. Ndërsa nga kontrollet në 7 banesa ku janë sekuestruar dokumenta, telefona dhe kompjutera me interes për hetimin. Nga jashtë vendit, zoti Ahmetaj reagoi duke deklaruar se kjo e sotmja ishte raprezalja e radhës në familjen e tij.

Në tetor, ndaj zotit Ahmetaj do të regjistrohet një tjetër procedim penal, për privatizimin e ish Fabrikës së Bukës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish zëvendëskryeministri dyshohet të ketë firmosur, në shkelje të ligjit, pasi pronësia mbi ish fabrikën i ishte njohur nga gjykatat, një familjeje kryeqytetase.

Zoti Ahmetaj reagon duke theksuar se, sipas tij, po bëhet kokë turku pa të drejtë. “Ka një segment të organizuar politiko-mediatik të financuar nga inceneratorët, me tentakula në drejtësi, që tentojnë të ndërtojnë tek unë “delen e zezë”, përtej kokës së vërtetë të zezë të kopesë”, shkruajti në një postim në Facebook, duke u shprehur se “goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi”.

Hetimet ndaj Berishës, polemikat dhe arresti në shtëpi

Pasditen e 21 tetorit, Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha u arrestua në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Posaçme kishte nisur lidhur me procedurat e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani.

I njëjti hetim kishte përfshirë dhe vetë zotin Berisha, i cili sipas Prokurorisë së Posaçme dyshohet se ka favorizuar zotin Malltezi një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzoi më pas një grup pallatesh. Duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryeministër, sipas hetimit, ai dyshohet të ketë miratuar ligje dhe akte nënligjore duke i përshtatur sipas nevojave të ish pronarëve, dhe se përmes kontrolleve administrative, është ushtruar presion ndaj strukturave shtetërore që të përshpejtonin procedurat si dhe vënien e këtyre strukturave në dispozicion të zotit Malltezi për realizimin e privatizimit. Ndaj tij është vihet masa “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i lëvizjes jashtë vendit”.

Menjëherë pasi u mësua lajmi, Berisha u shfaq në zyrën e tij, ku e prisnin një grup mbështetësish dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij. Ai do të flasë për një veprim me prapavijë politike, ndërsa shprehet se Prokuroria do të duhej t’i drejtohej Parlamentit dhe citon nenin e Kushtetutës: “Deputetit nuk mund t’i kufizohet liria në asnjë lloj forme pa vendim parlamenti”. Në fakt ai nen flet për heqje lirie dhe jo kufizim lirie.

Megjithatë zoti Berisha këmbëngul në qëndrimin e tij, duke deklaruar se nuk mund të njohë një vendim antikushtetues: “E vetmja gjë që unë nuk mund të pranoj kurrë është që të shkel Kushtetutën e vendit”.

Ndaj tij nuk janë ngritur akuza, megjithatë dyshimet e Prokurorisë ai i cilëson “një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulta, manipulime dhe trillime monstruoze”.

Gjykata konfirmon arrestin me burg për Malltezin e menjëherë zbatohet sekuestrimi i pasurive të tij. Për rastin e zotit Berisha, procedurat do të zgjasin disa ditë për shkak të përplasjeve të avokatëve të tij me gjykatën, e cila përcakton se ai duhet të paraqitet pranë një oficeri të policisë gjyqësore të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Paralelisht mbështetësit e zotit Berisha së bashku me grupimin e zotit Berisha ashpërsojnë qëndrimin në Parlament, duke protestuar për rrëzimin nga ana e shumicës të disa kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe për mosndryshimin e përfaqësuesit të opozitës në komisionin e reformës zgjedhore. Seancat do të mbizotërohen nga kaosi dhe tensioni, ndërsa ligjet dhe akte të ndryshme miratohen me shpejtësi, nën retë e e tymuesve.

Zoti Berisha injoron hapur vendimin e gjykatës, dhe në ditët kur do të duhej të paraqitej pranë oficerit të policisë gjyqësore, shfaqej gjithmonë në publik, në Parlament apo konferenca shtypi. Por më 12 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kërkon autorizimin e Parlamentit për arrestimin e tij. Atë ditë ai do të deklaronte se “çdo vendim pas autorizimit nga Parlamenti, do ta zbatoj pa asnjë diskutim”.

Më pas qëndrimi i tij do të ndryshojë dhe ditën që mblidhet Këshilli i Mandateve deklaron se “ ky është një poshtërim i Parlamentit. Është shpallja e tij në një zyrë legalizimi i veprimeve të paligjshme”. Ai njofton dhe nisjen e një beteje anembanë vendit dhe menjëherë më pas shfaqet në një protestë të thirrur pranë Parlamentit.

Gjykata Kushtetuese nuk pranon ankimimin e deputetëve që mbështesin zotin Berisha, të cilët kishin kërkuar ndër të tjera pezullimin e masave të sigurisë ndaj tij. Një ditë më pas, votimi i kërkesës së Prokurorisë do të bëhet sërish mes kaosit në sallë.

Prokurorët kanë kërkuar arrest shtëpie me mbikqyrje policore dhe ndalim të komunikimeve, përveçse me personat me të cilët ish kryeministri bashkëjeton. Ndërsa avokatët e zotit Berisha do të përdorin çdo truk procedurial për të zvarritur vendimmarrjen e gjykatës, e cila pranon kërkesën e Prokurorëve të çështjes, pasditen e 30 dhjetorit.

Lista e gjatë e SPAK-ut

Zyrtarë e politikanë të shumtë patën çështje të hapura me Prokurorinë e Posaçme gjatë këtij viti, një pjesë dhe të trashëguara nga hetime të mëparshme.

Pas një odiseje të gjatë ligjore, ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, në janar të këtij viti iu komunikua akuza e “shpërdorimit të detyrës” për rastin e Gërdecit. Çështja shkoi pak më pas për gjykim. Në procesin i cili ende vijon, dëshmoi edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit, i thirrur më herët gjatë vitit për të dhënë shpjegime. Ai sërish mohoi çdo lidhje me ngjarjen, pavarësisht kontakteve të shpeshta në atë periudhë me zotin Mediu apo dhe sipërmarrësin Delijorgji, i cili kontrollonte fabrikën e demontimit të municioneve.

Zoti Mediu ka këmbëngulur shpesh se nuk është marrë në konsideratë parashkrimi i veprës për të cilën akuzohet: “Kjo shkelje është tërësisht flagrante, për një njeri që prezumohet i pafajshëm e nuk ka patur procedim penal, të kërkohet të mos respektohet afati i parashkrimit”.

Koncensioni i sterilizimit ishte një tjetër dosje e debatuar e cila tërhoqi vëmendjen, kur më 17 gusht u arrestua ish zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili ishte pjesë e konsorciumit të kompanive që fituan koncensionin në dhjetorin e 2015-ës. Ndaj biznesmenit Rrapaj, rëndonte akuza e mashtrimit. Gjashtë zyrtarë të tjerë u vendosën në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje.

Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj, nga pronar një kompanie të vogël ndërtimi në Itali, u shfaq si aksioneri kryesor në konsorcium, përmes një tjetër shoqërie të sapothemeluar në atë kohë në Prishtinë.

Çështja mori ngjyrime të tjera, pasi gjykata sugjeroi përfshirjen në hetime dhe të ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, si dhe atij të Financave, Shkëlqim Cani.

Më 18 nëntor, zotit Beqaj i komunikohet masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i lëvizjes jashtë shtetit”. Ai dyshohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim. “Unë jam në dispozicion të këtij procesi hetimor, prandaj kam vendosur, përtej opinionit që mund të kem, apo rezervave të avokatëve të mi, të mos e kundërshtoj atë vendim”.

Sërish gjyqtari e konsideroi të paplotë hetimin, duke mbështetur idenë se, bazuar në prova, ish ministri duhet të hetohet dhe për “falsifikim”, sikundër sipas tij nuk duhet të mbetet jashtë hetimit as ish ministri Cani.

Në fund të vitit, emri i zotit Beqaj do të përfshihet në një tjetër hetim. Atij do t’i bëhet kontroll i banesës, ndërkohë që kontrolle u bënë dhe në disa kompani farmaceutike apo dhe në banesat e disa bashkëpunëtorëve të tij në Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj, nga drejtimi i së cilës u tërhoq pas masave të sigurisë ndaj tij nga ana e Prokurorisë.

Gjatë vitit 2023, të paktën 7 kryebashkiakë apo ish kryetarë socialistë të bashkive, socialist u dënuan, u hetuan ose janë në gjykim. Për disa të tjerë, ka patur po ashtu kallzime për të cilat po kryhen verifikime.

Më 1 mars, ish drejtuesi i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i arrestuar në korrik të 2021, u dënua me 3 vjet e 6 muaj, nga Apeli i posaçëm. Ai u gjet fajtor për “shpërdorim detyre” në dy raste, edhe për “shkelje të barazisë në tendera”. Dënime më të lehta u dhanë për 18 ish zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie dhe sipërmarrës.

Gati dy javë më vonë (16 mars) me urdhër të Prokurorisë së Posaçme u arrestua kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, nënkryetarja si dhe 6 zyrtarë të tjerë, nën akuzat: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”. Më 16 shtator, çështja ndaj tyre shkoi për gjykim dhe në fund të vitit ai u dënua me dy vjet burg.

Në qershor do të arrestohet një emër i njohur i socialistëve, ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe 10 persona të tjerë, nga të cilët 7 janë ish punonjës të Bashkisë. Njeri i afërt me kryeministrin Rama dhe ish anëtar i kryesisë së PS-së, zoti Dako u vendos nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në dy raste: për procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe plotësimin e dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë, si dhe për procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me një fond prej 21 milionë lekësh, i konsideruar 10 herë më i lartë sesa vlera reale. Më 7 dhjetor, hetimi u mbyll dhe çështja kaloi për gjykim. Ai është një ndër emrat ndaj të cilëve Departamenti amerikan i shtetit ka marrë masën e ndalimit të hyrjes në territorin e SHBA-ve.

Pak ditë më pas (16 qershor), një tjetër emër nga socialistët do të përfundojë në qendër të vëmendjes. Kryetari i Bashkisë së Kukësit, përfshihet në një skandal me sfond seksual, pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, ku ai shfaqet në zyrën e tij, duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua. Ai jep dorëheqjen, ndërsa 8 ditë më pas arrestohet.

Po në qershor, do të merret nën hetim kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, pasi nuk kishte deklaruar në formularët si kandidat në dy zgjedhje vendore, një dënim për kalim të paligjshëm të kufirit me Greqinë, dhe dëbimin nga ky shtet në vitin 1999. Ai është mbrojtur duke deklaruar se nuk kishte patur dijeni për masën e dhënë ndaj tij nga gjykata greke, në moshën 17 vjeçare. Në fund të vitit (18 dhjetor) dosja e tij i kalon gjykatës.

Më 13 korrik, u arrestua ish kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, ndërsa ish administratori i Njësisë Iballë, u la në arrest shtëpie. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi lejuan një kompani private të hapte pa leje një rrugë në një zonë pylli, duke shkaktuar një dëm që përllogaritet në mbi 2 milionë euro. Ai do të dënohet më 7 tetor me 1 vit e 6 muaj burgim për shpërdorim detyre, dhe heqjen e të drejtës për 5 vjet për të ushtruar funksione publike.

Nën hetime do të përfundojë dhe kryebashkiaku tjetër socialist në Rrogozhinë, Edison Memolla. Në fillim të nëntorit, Prokuroria e posaçme njoftoi dërgimin e tij për gjykim nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, pasi rezulton të ketë ofruar favore në këmbim të votës për të, në zgjedhjet e 14 majit.

Qëndrimi i zgjedhur nga kryeministri Rama për arrestimet e njerëzve të tij, kryesisht të atyre që i ka mbrojtur hapur përballë akuzave publike, mbeti gjithnjë i njëjtë, se përgjegjësia është individuale, madje edhe përgjegjësia e tij morale “është karshi shqiptarëve për t’iu dhënë atyre një drejtësi, që bën ekzakt këtë punë”.

Gjithnjë e më shpesh ai ka përmendur faktin se reforma në Drejtësi ishte fryt i angazhimit të shumicës drejtuar prej tij, duke e përdorur këtë argument si të kishte një efekt purifikues.

Megjithatë hetimet e Prokurorisë së Posaçme duket se ndikuan disa prej ndryshimeve në kabinetin e tij, në fillim të sezonit të ri politik, (4 shtator) të cilat prekën disa nga portofolet me peshë, nga diplomacia të bujqësia, financat e shëndetësia. Më herët në muajin korrik, kishte ndryshuar dhe drejtimi i ministrisë së Brendshme.

BE-Shqipëri, dhe Beleri në mes

Një tjetër arrestim, këtë herë i kandidatit të opozitës në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit do të rezultojë me pasoja për ecurinë e procesit të bisedimeve me Bashkimin Europian. Ndonëse Komisioni europian, deklaroi se vendi kishte plotësuar kushtet për të hapur grupkapitujt e parë, Greqia do të vendosë veton.

Një personazh me shumë dritëhije dhe një të kaluar problematike, Beleri, kandidat i PBDNJ-së, në koalicionin opozitar “Bashkë fitojmë”, u arrestua pasi më parë ishin siguruar përgjime për ofrimin e parave në këmbim të votës. I vetëdijshëm për efektin e një ngjarjeje të tillë, aq më tepër që e kishte sulmuar personalisht gjatë fushatës, kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se ngjarja përbën “një sprovë të madhe për drejtësinë, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”.

Por për fqinjin jugor të Shqipërisë, i përfshirë po ashtu në një fushatë zgjedhore, arrestimi i Belerit, shërbeu si një shkëndijë për të ndezur polemika të pafundme. Autoritetet greke u vunë menjëherë në lëvizje, duke kërkuar që të kishte prova bindëse, e duke përmendur të drejtat e minoritetit, shoqëruar me paralajmërimet se rrugëtimi i Shqipërinë drejt BE-së, nuk do mund të përparonte pa miratimin e saj.

Autoritetet shqiptare nga ana e tyre iu përmbajtën që në fillim linjës se kjo ishte një çështje ekskluzive e drejtësisë. “Nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare, dhe ka një tjetër drejtësi për qytetarët e Republikës së Shqipërisë me kombësi greke”, deklaroi më 15 maj, kryeministri Rama.

Zoti Beleri u shpall fitues me një grusht votash, por ky fakt hapi një kapitull të ri kërkesash nga Greqia. Ndërsa kryebashkiaku i zgjedhur, vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat e mundshëm procedurialë, për të kërkuar një masë më të butë sigurie, e më vonë lejen që të bënte betimin, Athina ndiqte çdo hap të procesit, duke e shoqëruar me deklarata deri në Bruksel. “Do të përfitoj nga rasti të parashtroj qartazi çështjen e mbajtjes në burg të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, zotit Beleri”, deklaroi ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, i ndodhur në zyrat e Komisionit Europian.

Hetimet u mbyllën në fund të korrikut duke i hapur rrugën gjykimit.

Në mesin e muajit gusht, kryebashkiakët e disa qyteteve greke, përfshirë dy më të mëdhatë Athinës dhe Selanikut, ishin pjesë e një proteste në mbështetje të zotit Beleri në Himarë. Një javë më pas kryeministri grek Mitsotakis shkon më tej duke mos ftuar zotin Rama në një darkë të organizuar prej tij me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit, me rastin e 20 vjetorit të Samitit të Selanikut, ku BE-ja u angazhua për perspektivën europiane të rajonit. Një sinjal force nga Athina, për të cilin zoti Rama, shkruajti një ditë më pas se darka ishte “përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës”. Sipas kryeministrit shqiptar “është me shumë rrezik që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të jenë peng i politikës së brendshme fisnore”.

Ndërkohë sinjalet nga Brukseli ishin pozitive për Shqipërinë e cila në tetor u bë mikpritëse e takimit të udhëheqësve të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit. Një ditë përpara këtij takimi, presidentja e Komisionit europian Ursula von der leyen, deklaroi në Tiranë se “objektivi ynë i përbashkët është që të hapim bisedimet për grupkapitujt e parë, të ashtuquajturit “Themelorët”, sa më shpejt të jetë e mundur, përpara fundit të këtij viti”.

I njëjti mesazh do të jepet dhe pak javë më vonë kur publikohet Raport Progresi për Shqipërinë. Por ndërkohë Greqia kishte bllokuar letrën e vendeve anëtare drejtuar Tiranës për përgatitjen e udhërrëfyesve për grupkapitujt, të cilën e firmosi vetëm në fund të nëntorit.

Pak ditë përpara nisjes për në Bruksel (8 dhjetor) në takimin e Këshillit europian me vendet e Ballkanit, zoti Rama do të deklaronte se rasti Beleri “nuk ka asnjë lidhje as me BE-në, as me kushtet e procesit të negociatave, as me ndonjë mangësi të Shqipërisë në këtë fazë të negociatave”.

Çështja bëhet pjesë e diskutimeve në mbledhjen e Këshillit, por pa asnjë rezultat. Mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek ka një bisedë të gjallë pas mbledhjes. Për Shqipërinë mbetet deklarimi për hapjen e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur.

Për Athinën, zotit Beleri, do duhej t’ jepej mundësia për të bërë betimin. Kjo çështje, e cila u bë objekt i një trysnisë së vazhdueshme, kaloi po ashtu disa hallka gjyqësore, derisa u trajtua përfundimisht në Gjykatën e Posaçme e cila e rrëzoi. Në arsyetimin e Gjykatës, vlerësohet po ashtu se duhej gjetur një zgjidhje për të siguruar funksionalitetin e Bashkisë së Himarës, e cila nuk mund të drejtohej nga kandidati humbës në zgjedhje, socialisti Gjergji Goro. Pak ditë më pas kryeministri Rama paralajmëron tërheqjen e zotit Goro.

Zgjedhjet vendore, fundoset opozita

Socialistët regjistruan fitoren më të thella që një forcë politike ka arritur në zgjedhjet vendore duke marrë kontrollin e pjesës dërrmuese të vendit, përfshirë të gjitha qytetet e mëdha. Si asnjëherë më parë, mes 53 bashkive që votuan majtas, u përfshi edhe Shkodra. Opozita, e cila në zgjedhjet e 2012 kishte lënë fushën bosh për shkak të bojkotit, fitoi vetëm 7 bashki, përgjithësisht të vogla. Humbja ishte e thellë dhe në kryeqytet, ku kryebashkiaku Erion Veliaj u rikonfirmua një diferencë thellë votash. E papritur rritja e fortë e socialdemokratëve të Tom Doshit, të renditur si forcë e katërt në këshillat bashkiakë, në rang vendi.

Socialistët hynë në zgjedhje duke qenë disa hapa përpara krahasuar me të tjerët. Ata kishin drejtuar për 4 vjet të gjitha bashkitë e vendit. Dhe ç’është më e rëndësishmja, përballë kishin një opozitë të gërryer nga përplasjet e brendshme në Partinë Demokratike, mes ish kryeministrit Sali Berisha, që gëzonte mbështetje më të madhe, dhe grupimit të zotit Alibeaj, i cili, pak ditë përpara skadencës së afateve të regjistrimit, mbajti vulën dhe siglën e PD-së, pas vendimit të Apelit që e ktheu çështjen në gjykatën e shkallës së parë. Një vendim që do përmbyset në fund të vitit nga Gjykata e Lartë e cila e çon sërish dosjen në Apel.

Pavarësisht kësaj, ai do të hasë në vështirësi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk do të pranojë që deklarata solemne, pjesë e dokumentacionit të kërkuar, të ishte firmosur nga zoti Alibeaj, duke qenë se në gjykatë, figuronte ende si kryetar i Partisë zoti Lulzim Basha, i dorëhequr në vitin 2022. Kryekomisioneri refuzon regjistrimin e PD-së në zgjedhje, vendim i cili rrëzohet më pas nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS).

Mes përplasjeve në kryesi, PD-ja do të dalë me një numër të vogël kandidatësh, të cilët reduktohen më tej pasi një pjesë refuzon të rivalizojë me kandidatët e grupimit të udhëhequr nga ish kryeministri. Ky i fundit, ashtu si dhe në zgjedhjet e pjesshme të 2022-shit, u strehua sërish në një koalicion nën siglën e Partisë së Lirisë së ish presidentit Ilir Meta.

Fushata, u dominua nga shkëmbimet e sulmeve dhe akuzave politike, ku nuk munguan tonet fyese e denigruese ndaj kundërshtarit. “A e kuptojnë këta të djathtë që ky njeri, bashkë me floririn se këta janë një, Salike floriri i them unë? A e kuptojnë këta që Salikja është një turp?”, do të deklaronte zoti Rama gjatë një takimi elektoral.

“Ku janë kandidatët e Edi Ramës? Bodrumeve, nuk takohen me qytetarët, takohen me punonjësit e tyre, takohen me grupet mafioze, shpërndajnë para”, do shprehej zoti Berisha, në takimet me mbështetësit e tij.

Koalicioni “Bashkë fitojmë” u përpoq të joshte mbështetësit e vet, me idenë se një fitore në këto zgjedhje do t’i shkurtonte ditët edhe qeverisë. Zoti Berisha do të shprehej shpesh se “14 maji do të jetë gjithashtu dhe dita në të cilën ne vendosim për ti dhënë duart kësaj qeverie në vjeshtën që vjen”.

Edhe sipas zotit Meta, pjesëmarrje në zgjedhjet e së dielës do t’i bënte qytetarët “pjesë e një përmbysje, që fillon në 14 maj”.

Ndërsa për zotin Alibeaj “Shqiptarët nuk e duan Ramën, por aq më pak duan Berishën dhe Metën”.

Dita e votimit do të kalojë pa probleme serioze. Pjesëmarrja do të jetë e ulët dhe nuk do të kapërcejë pragun e 38 përqindëshit. Rezultatet e para tregojnë tendencën e votës në të gjithë vendin. Një dominim të socialistëve, thuajse kudo, përfshirë atë që për vite ishte konsideruar si një bastion i pathyeshëm i së djathtës, Shkodrën. Ndërsa në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj arrin një diferencë prej më shumë se 58 mijë votash, me Belind Këlliçin, rivalin e koalicionit Berisha-Meta.

Opozita arrin të marrë vetëm Hasin, Mirditën, Pukën e Fushë Arrëzin në Veri, Memaliajn dhe Himarën në Jug, si dhe Kavajën. Por dhe këtu, socialistët kanë marrë kontrollin e Këshillit bashkiak, falë dhe aleancës së heshtur me socialdemokratët e Tom Doshit, të renditur në mënrë surprizë si forcë e katërt për nga numri i votive, me 116 mandate këshilltarësh.

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë, ngriti si “çështje shqetësuese, pretendimet për rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore, presioneve mbi administratën dhe për shitblerje të votës”.

Zoti Berisha do të flasë për një ditë të rëndë për liritë dhe të drejta e qytetarëve, një moment agonie për vlerat demokratike dhe “një farsë elektorale e karakterizuar nga Alfa tek Omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner”.

Ndërsa, zoti Alibeaj, ndërsa pranon problemet serioze sipas tij të zgjedhjeve, jep dorëheqjen nga drejtimi i PD-së zyrtare duke theksuar se “para së gjithash duhet të shohim nga vetja, Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së PD-së në rezultatin e zgjedhjeve”.

Plagët e hapura të përçarjes në PD

Por pavarësisht qëndrimit politik ndaj zgjedhjeve, situata e opozitës, veçanërisht e demokratëve, u bë edhe më e vështirë në raport me veten, për shkak të plagëve të pambyllura të përçarjes, e në raport dhe me përkrahësit, që e shohin atë të mbetet faktikisht ende larg pushtetit. Zoti Lulzim Basha rikthehet për të rimarë drejtimin e PD-së zyrtare, një akt që nuk mirëpritet nga një pjesë e mirë e deputetëve, të cilët shkëpusin lidhjet me të, për t’iu bashkangjitur në Parlament grupimit të ish kryeministrit Berisha.

Pas një mungese të gjatë, ish kryetari demokrat Lulzim Basha u rishfaq më 24 maj, me një grup të rinjsh në Tiranë duke paralajmëruar një tur bashkëbisedimi në të gjithë Shqipërinë, në të cilat dallon pamja e jashtme. Veshje sportive e thuajse gjithnjë me një bluzë “alla Zelensky”. Ndërsa ajo që propozon si një platformë ndryshimi, duket më shumë një riciklim tezash të artikuluara dhe më parë: “Të hapim garën politike. Pra listat e hapura dhe e dyta vetting i politikanëve”.

Qartësisht e gjitha duket si një prelud i rikthimit të tij në krye të Partisë Demokratike zyrtare. E sfilitur më së shumti nga përplasjet e gjata me grupimin e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, se sa me socialistët në pushtet, përballja me të cilët rezultoi dërrmuese në zgjedhjet vendore, kjo forcë politike ndodhej në çastet e një paqartësie edhe më të madhe, pas dorëheqjes së zotit Enkelejd Alibeaj.

Do të jenë përplasjet e brendshme që do të mbizotërojnë sërish, kur pjesa më e madhe e grupit parlamentar do të mbështesë idenë e një procesi të shtrirë në kohë e që do duhet të niste me riorganizimin e bazës për të përfunduar te zgjedhja e kryetarit të ri, ndërsa shumica e kryesisë, që do të këmbëngulë për mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve për drejtuesin e partisë.

Mbledhja e kryesisë e zhvilluar përgjatë natës së 6 qershorit deri në orët e para të mëngjesit të së nesërmes, prodhoi tensione të forta brenda dhe jashtë zyrave. Pas vendimit për të mbajtur zgjedhjet më 29 korrik, nënkryetarja Jorida Tabaku dha dorëheqjen nga ky pozicion, ndërsa kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, dikur krahu i djathtë i zotit Basha, u shfaq kategorikisht kundër.

Mes palëve nis një betejë ku hyn në lojë statuti dhe rregulloret, për të cilat palët akuzonin njëra tjetrën se po i shkelin ato. Më 18 korrik kryesia vendosi që administrimi i vulës së partisë t’i hiqet zotit Bardhi, i cili gjithnjë e më shumë po shihej prej shumicës së saj, si personi, që mendohej të kishte bërë një pakt të heshtur me zotin Berisha. Pak ditë më pas zoti Bardhi thërret mbledhjen online të Këshillit Kombëtar për në 27 korrik. Në përfundim të saj ai deklaron “anullimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD, të njoftuar për më datën 29 korrik. Pezullimin e veprimtarisë statutore të kryesisë së PD, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj”.

Me të njëjtën monedhë reagoi pala tjetër. “I urojmë zotit Bardhi suksese për krijimin e parë të partisë dixhitale në vend. Eshtë një hap inovativ që duhet përshëndetur. PD nga ana e saj do të vijojë normalisht procesin e reformimit dhe të zgjedhjes së kryetarit të saj më 29 korrik”, deklaroi zoti Indrit Sefa, sekretar për çështjet ligjore në PD.

Përballë një figure lokale të PD-së si Gjergji Hani, dhe me një fushatë larg publicitetit, zoti Basha rizgjidhet, siç edhe ishte e pritshme. Por këtë herë ai do të drejtojë një forcë politike shumë më të vogël, me vetëm 25 mijë anëtarë të regjistruar për të marrë pjesë në votim, e për më tepër me një grup parlamentar të ndarë copash, ku ata që e mbështesin do të jenë në pakicë.

Më 2 Shtator ai mbledh Kuvendin, ku mes ndryshimeve në statut parashikohet që kryetari i Partisë do të jetë dhe drejtues i grupit parlamentar. Një përpjekje për të shmangur zotin Bardhi, i cili ndërkohë kishte nisur negociatat për afrim me grupimin e ish kryeministrit.

Pas gati dy vjetësh konflikti të hapur, duke treguar me gisht njëri tjetrin se kush ishte përgjegjës për përçarjen e opozitës, apo se cili ishte më shumë i korruptuar apo i blerë nga Kryeministri Edi Rama, ata ulen së bashku më 5 shtator.

Zoti Bardhi kujdeset të vërë në dukje se dallimi mes palëve “nuk do të na pengojë që sot të unifikojmë një qëndrim të aksionit tonë opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës, duke e nisur me një agjendë të përbashkët parlamentare”.

Veçanërisht i kënaqur shfaqet ish kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë sesionit të shkuar parlamentar, nuk arriti të kishte kontrollin e grupit. Mbështetësit e tij ishin përjashtuar nga Partia Demokratike. Ai i gëzohet faktit se zoti Basha ka mbetur me një numër të reduktuar deputetësh, ndërsa duket se te ky takim, sheh diçka përtej dhe vetëm unifikimit të qëndrimit kundër qeverisë socialiste: “Mendoj se ky ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm në një proces të pandalshëm, i cili do t’iu japë përgjigje të gjitha problemeve të pamohueshme që u krijuan, por që marrin në këtë frymë, zgjidhjen më të mirë”, deklaroi zoti Berisha pas mbledhjes.

Mesazhi i zotit Basha, për ish krahun e tij të djathtë, është i prerë. “Udha e mbarë i qoftë në bunkerin anti-amerikan. Partinë Demokratike nuk e dëmtojnë më”, u shpreh ai gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike.

Përplasja për çështjen e kreut të grupit parlamentar, duket se i ndau përfundimisht rrugët mes tyre, ndërsa disa herë ata u përplasën publikisht, në sallën e Parlamentit. “Nëse keni vendosur në kulisat tuaja të errëta të aleancave të kullave e “non gratave” dil e thuaju shqiptarëve që je pjesë e asaj aleance”, deklaroi zoti Basha ndërsa i drejtohej kryetares së Parlamentit Lindita Nikolla, por me një referencë të qartë për grupimin Berisha-Bardhi. “Për të akuzuar kolegët për aleanca kullash, numëro një herë katet e kullave të tua në kullën më të shtrenjtë të Tiranës, tënden dhe familjarëve të tu”, u kundërpërgjigj zoti Bardhi, i cili vijon të konsiderohet kryetar i grupit të PD-së./VOA