Aktualitet Porositi vrasjen e Arjan Spahiut, Franc Çopja ekstradohet nga Dubai në Belgjikë

Porositi vrasjen e Arjan Spahiut, Franc Çopja ekstradohet nga Dubai në Belgjikë

VIKTIMA SPAHIU

Franc Çopja është ekstraduar drejt Belgjikës, pas një gabimi që vetë ka kryer. I shumëkërkuari nga drejtësia belge për vrasjen e Arjan Spahiut allias Ardit Spahiut, është cilësuar si ekstradimi i parë i suksesshëm nga Dubai, mirëpo kjo është më së shumti një gafë e vetë 31-vjeçarit. Kjo pasi ai nuk ka qëndruar në Dubai, vend i cili ka të ndaluar ekstradimin, por në një nga Emiratet e tjera, ku edhe ligjet ndryshojnë.

Në Dubai fshihen disa prej personazheve më të rëndësishëm që janë në kërkim nga drejtësia shqiptare, pikërisht sepse bashkëpunimi është i vështirë, ndërsa ekstradimi thuajse i pamundur. Franc Çopja kishte një identitet të rremë me emrin Franc Gergely.

“Të thuash se është e vështirë është me të vërtetë një nënvlerësim,” thotë ministri belg i drejtësisë Van Tigchelt. “Por ne gjithashtu vërejmë përparim me autoritetet në lidhje me të dyshuarit që fshihen në Dubai. Dhe ne gjithashtu vazhdojmë t’i gjurmojmë ata kriminelë. Sepse duam rezultate edhe atje.”

Çopja është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe në 14 shtator të këtij viti. Ndërkohë që një i bashkakuzuar me të, Mikael Qosja, i cili është arrestuar më shumë se një vit më parë në Dubai, ende nuk është ekstraduar.

Gjykata belge e sheh Çopjan si personin që urdhëroi vrasjen. Hetuesit morën prova për përfshirjen e tij për ngjarjen në Molenbeek nga komunikimet e përgjuara të Sky ECC.

Çopja mësohet se ka dhënë urdhër nga Dubai për të vrarë Ardit Spahiun, i cili vinte nga i njëjti fshat. Tre persona të maskuar iu afruan Spahiut më 27 nëntor 2020 kur ai doli nga një kafene në Condorlaan në Molenbeek.

Sipas mediave belge, ai u qëllua pa mëshirë. Viktima nuk ishte i panjohur për policinë federale belge. Në momentin e vrasjes, Spahiu ishte i dyshuar në një hetim të madh droge që rezultoi në mega-gjyqin ku u përfshinë 124 të dyshuar.

SI NDODHI VRASJA E SPAHIUT

Policia e akuzon Franc Çopjan për porositjen e vrasjes së Arjan Spahiut në Belgjikë, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor 2020 në bulevardin “Edmond Machtens”, pranë lagjes së njohur Molenbeek të Belgjikës. Shkak për ngjarjen dyshohet se është bërë prishja e pazareve të drogës. Franc Çopja së bashku me dy vëllezërit e tij Hajdar dhe Ervin Çopja janë pjesë e grupit “Sakati”. Grupi ka marrë këtë emër për shkak se njëri prej vëllezërve është invalid. Përveç tij për vrasjen mbetet ende në kërkim shtetasi Mikael Qosja.