Claudine Gay ka dhënë dorëheqjen si presidente e Harvardit. 53-vjeçarja, vajzë e emigrantëve nga Haiti, ishte bërë gruaja e parë me ngjyrë në krye të universitetit më të famshëm në Shtetet e Bashkuara. Dorëheqja vjen pas disa javësh polemikash, duke përfshirë akuzat për antisemitizëm në protestat në kampus, si dhe akuzat se ajo kopjoi materiale në botimet e saj akademike pa dhënë burimet e duhura.
“Me emocion të madh, por me dashuri të madhe për Harvardin, ju shkruaj për t’ju informuar se po jap dorëheqjen”, shkroi 53-vjeçarjai në një letër, duke shtuar se “ka qenë e tmerrshme që ka qenë subjekt i sulmeve personale dhe kërcënimeve të nxitura nga racizmi.”
Vetëm gjashtë muaj më parë Claudine mori detyrën në Harvard, e para me ngjyrë dhe gruaja e dytë që ishte presidente e universitetit më të famshëm të Amerikës. Alan Garber, një mjek dhe ekonomist, do të shërbejë në vend të saj si president i përkohshëm, sa të zgjidhet një pasardhës.
Gay është drejtuesja e dytë e një universiteti të Ivy League që është dorëhequr javët e fundit. Në dhjetor, kolegia e saj e Universitetit të Pensilvanisë, Elizabeth Magill, bashkëprotagoniste me Gay-in dhe Sally Kornbluth të MIT-it, të një seance dëgjimore në Kongres, në të cilën kërkuan falje për episodet e antisemitizmit dhe kërcënimet ndaj studentëve hebrenj pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit.
Dorëheqja e Gay i jep fund mandatit më të shkurtër në historinë shekullore të Harvardit, vuri në dukje gazeta studentore Harvard Crimson. Një profesore e studimeve afrikano-amerikane, Claudine mori detyrën në korrik, gjashtë muaj pas emërimit të saj.