Në dy operacione të ndryshme, policia e shtetit ka bërë të mundur arrestimin e dy pjesëtarëve të një grupi kriminal që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shitjes dhe trafikimit të sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës.
Në Tiranë, u vu në pranga Dritan Idrizi (alias Dritan Xhepexhiu), ndërsa në Përmet u ndalua 40-vjeçari Elion Bejo. Të dy personat rezultonin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie “Arrest në burg”, nga Gjykata e Breshias.
“Në Tiranë, në kuadër të operacionit “Alias”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi D. I. alias D. Xh., 37 vjeç. Gjykata e Breshias i ka caktuar 37-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se gjatë periudhës 01.10.2019-31.01.2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar sasi të mëdha të lëndës narkotike kokainë, kryesisht në qytetet Bergamo dhe Breshia. Në Përmet, në kuadër të operacionit “The zone”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. B., 40 vjeç. Gjykata e Breshias i ka caktuar 40-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se gjatë periudhës 07.10.2019-26.10.2019, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka shitur lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, në doza, me vlerë rreth 17 000 euro.”
Ndalimi i tyre u bë me qëllim ekstradimin në Itali dhe procedurat do të nisin së shpejti në bashkëpunim me Interpolin.