Aktualitet Cikloni ‘Befana’ sjell shi e borë në Itali, edhe Shqipëria do të...

Cikloni ‘Befana’ sjell shi e borë në Itali, edhe Shqipëria do të përballet me temperatura të ulëta

Nga dita e sotme, në Itali pritet të ulen ndjeshëm temperaturat, ndërsa moti i keq do të pushtojë të gjithë vendin. Gjatë ditës së sotme, do të ketë reshje shiu të dendura në disa rajone si Sardenja, Toskana dhe Piemonte. Por duke filluar nga pasditja do të përfshihet nga reshjet intensive edhe pjesa perëndimore e gadishullit Apenin.

Moti i keq pritet që të zhvendoset në fundjavë dhe në Shqipëri.

Sa i takon Italisë, gjatë ditës së sotme priten reshje bore në lartësitë mbi 800 metër. Situata pritet të përkeqësohet gjatë orëve të mbrëmjes të së premtes, ku i gjithë veriu do të preket nga cikloni Befana, i cili do të shoqërohet me erëra të forta dhe stuhi.

Sipas RaiNews, zona që do të goditet më së shumti nga kjo stuhi do të jetë jugu i Sardenjës. Ndërkohë në Alpe pritet të ketë më shumë se gjysmë metri dëborë.

Pas Italisë, cikloni do të lëvizë drejt detit Adriatik dhe më pas do të prekë edhe Ballkanin. Ulja e temperaturave dhe i ftohti polar, sipas mediave fqinje, do të zgjasë tri ditë.

Ndërkohë si pasojë e shirave të dendur, Franca dhe Gjermania gjatë kësaj jave janë përballur me përmbytje në zonat veriore.

Nga vala e të ftohtit janë prekur dhe vendet nordike, ku temperaturat në Suedi kanë arritur në minus 43.6 gradë.