Policia malazeze ka identifikuar tre prej autorëve të dyshuar si dhunuesit e tre qytetarëve shqiptarë të shtunën në Malin e Zi. Ngjarja ndodhi në Herceg Novi, në fshatin e quajtur Zelenika. Njoftimin e jep Policia e Shtetit pas komunikimeve me homologët malazezë.
Autoritetet fqinje kanë kontrolluar videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes dhe në këtë mënyrë kanë identifikuar autorët.
“Në lidhje me veprimet procedurale dhe identifikimin e autorëve, sipas informacionit të dërguar nga kolegët në Malit e Zi, rezulton se: Policia ka ndërmarrë veprime me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave në të cilat kanë mbetur të plagosur shtetasit shqiptarë. Janë kontrolluar videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes. Përmes punës operative në terren, efektivët e policisë kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar dhe do merren masa për kapjen dhe arrestimin e tyre. Ngjarja është dërguar për kompetencë te Prokurori i cili do të deklarojë kualifikimin ligjor të rastit”, njoftoi policia.
Shqiptarët e dhunuar janë Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi. Ata kanë mbërritur ditën e sotme në atdhe. Fillimisht të rinjtë kanë dhënë deklarimet e tyre në prani të një avokati dhe përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Malin e Zi. Më pas me dëshirën e tyre janë nisur drejt kufirit.
“Policia malazeze ka kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe tre shtetasit shqiptarë kanë dhënë deklarime në prani të një avokati (njohës i gjuhës shqipe) dhe të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Malin e Zi. Në përfundim të veprimeve të para, tre shtetasit shqiptarë, me dëshirën e tyre, janë nisur për në Shqipëri. Drejtuesit e Policisë së Shtetit iu kanë kërkuar homologëve të Malit të Zi, që për çështje sigurie, të tre shtetasit shqiptarë t’i shoqërojnë me punonjës policie, deri në kufi. Tre shtetasit shqiptarë kanë mbërritur në PKK Muriqan, rreth ores 05:30 dhe janë pritur nga drejtuesit e pikës së kalimit kufitar Muriqan dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, të cilët i kanë shoqëruar deri në Spitalin Rajonal Shkodër ku shtetasit shqiptarë kanë kryer të gjitha kontrollet mjekësore, nga të cilat kanë rezultuar pa probleme”, njoftoi policia.
Tre shqiptarët sapo kishin zbritur nga trageti dhe po lëviznin me një automjet me targa gjermane. Fillimisht autorët goditën makinën e tyre dhe pas daljes nga automjeti dy prej të rinjve janë goditur duke pësuar dëmtime në trup.
Për këtë ngjarje të denoncuar fillimisht nga familjarët e të dhunuarve ka reaguar menjëherë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka pasur dhe një telefonatë me homologun malazez Danilo Sharanoviç.
Për këtë ngjarje të rëndë reagoi dhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili bëri të ditur se është identifikuar njëri prej autorëve dhe po punohet për kapjen e tij.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet që ndodhën të mysafirët tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura”, tha ai.