Vjollca, prej vitesh një prej shpenzimeve kryesore ka ato të qirasë për banesë.
Në fillim të janarit, pas përfundimit të kontratës së qirasë filloi të kërkonte për një banesë të re. Në harkun kohor të dy viteve ajo konstatoi se çmimet e qirave ishin rritur ndjeshëm.
Të kërkosh për banesë me qira në Tiranë është sfidë më vete, thotë ajo. Asnjë apartament nuk lëshohej me qira poshtë 20 mijë lekëve, ndryshe nga disa vite më parë.
Madje dhe në periferi nuk mund të gjeje më hyrje nën këtë çmim, por edhe nëse kishte ndonjë në të rrallë kushtet ishin skandaloze, tha për Monitorin. Më parë në zonën periferike të Freskut, Vjollca tregoi se mund të gjente një shtëpi nga 14-15 mijë lek, sot nëse gjen një apartament me çmim qiraje rreth 15-17 mijë lek dihet se është me kushte të këqija, dhe i pa mobiluar.
Tirana si qendër jo vetëm ekonomike, por edhe universitare, ka gjithmonë një fluks në rritje të kërkesës për apartamente me qira. Në periudha të caktuara vërshojnë studentët në kryeqytet. Megi, së bashku me të vëllain, të cilat janë të dy studentë, thanë se kërkimi për shtëpi me qira zgjat nga 1 deri 3 muaj. Nëse je me fat mund të gjesh një hyrje me kushte minimaliste për 25 mijë lek brenda unazës. Vetëm pasi siguroi qiradhënësin se do të qëndronte më shumë se një vit, Megi arriti të siguronte një banesë, të pa mobiluar, brenda unazës me çmim 25 mijë lekë.
Kërkesa në rritje, si për qira, ashtu edhe për blerje të apartamenteve, konfirmohet edhe nga aktorët e tregut, sipas të cilëve, qiraja është shtrenjtuar me rreth 30% .
Sipas agjentes së pasurive të paluajtshme të Century21, Estela Ziu, në tregun e apartamenteve me qira vërehet kohët e fundit një tendencë në rritje e çmimit të tyre. Nëse vetëm para një apo dy viteve, një apartament në një kompleks të ri jepej rreth 25 mijë lek, sot e jepet rreth 250 euro, pra rreth 37% më shumë. Gjithashtu, sipas saj po shikohet dhe një tendencë në rritje e blerjes së apartamenteve për t’i lëshuar me qira, si një formë investimi.
Këtë gjë e pohojnë dhe agjencitë e tjera. Ing Xheni Jahja, nga Tirana Real Estate, tha se i gjithë qyteti i Tiranës jepet me qira. Konkretisht ka familje të cilat të ardhurat e tyre i kanë nga qiraja. Me normat aktuale të depozitave, individët po investojnë në blerjen e shtëpive, si formë më e mirë kthimi. Edhe Dritan Caka nga DevInf, konfirmon rritje të kërkesës si për blerje apartamentesh ashtu edhe të kërkesës për apartamente me qira. Kryesisht si arsye jep ndryshimet demografike, por shton se një kategori individësh me të ardhura të mira, sikurse janë ato që ushtrojnë profesionet e lira po blejnë një shtëpi të dytë si formë investimi për ta dhënë me qira.
Interesant është fakti se rritja e kërkesës për të marrë shtëpi me qira vjen njëkohësisht me rritjen e kërkesës për blerje apartamenti, kur normalisht rritja e kërkesës për blerje apartamentesh duhet të ulte kërkesën për qira. Aktorët e tregut e shpjegojnë këtë tendencë me shtimin e numrit të të ardhurve në kryeqytet, nga rrethet e tjera, por edhe të të huajve, si dhe faktit që sidomos në qendër, apartamentet po blihen kryesisht për qëllime investimi (së fundmi është konstatuar një rritje e blerjes së apartamenteve me para në dorë, sipas një vrojtimi tregu të kryer nga Monitor).
Kohët e fundit në kryeqytet është vënë re dhe prania e shtuar e të rinjve italianë që janë vendosur në Shqipëri për të studiuar dhe për të punuar, faktor i cili ka ndikuar në rritjen e kërkesës për apartamente me qira. Vetëm dy javë më parë, në emisionin Matrix të Canale 5, trajtohej historia e disa të rinjve italianë të cilët janë shpërngulur në Shqipëri. Gazetari i Canale 5 theksonte se ka shumë italianë që vijnë në Shqipëri, ku punojnë për kompani shqiptare, të cilat shesin produkte për shoqëritë italiane. Ai përmend si avantazh faktin që në Shqipëri italishtja është si e shtëpisë.
Një prej tyre është Fabio, 25 vjeç, të cilin gazetarët e emisionit Matrix e kanë takuar në qendër të Tiranës. Fabio sot arrin të fitojë 1000 euro. Kur jetonte në Romë, vetëm për shtëpinë shpenzonte 800 euro. Në Tiranë për qiranë paguan 270 euro, 30 euro për argëtim dhe 30 të tjera për të ngrënë. Ai thotë se ka shumë italianë që po vijnë tani në Shqipëri, disa për të punuar dhe të tjerë për të studiuar në universitet.
Një ndër zonat që ka reflektuar rritje të çmimit të apartamenteve me qira është Don Bosko. Sipas ekspertëve të tregut kjo zonë është shumë e preferuar nga studentët italianë, për shkak të afërsisë me universitetin e Zojës së Këshillit të Mirë.
Sipas të dhënave të UNESCO-s janë rreth 500 studentë italianë që kanë ardhur në Shqipëri për të studiuar.
Edhe apartamentet janë shtrenjtuar
Edhe tregu i shit-blerjes së apartamenteve pas një periudhe në stanjacion ka njohur gjallërim. Në raportin e fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, lexohej se indeksi i çmimeve u rrit me 4.6% në terma mesatarë vjetorë, teksa shihet se indeksi i qirasë së banesave ka regjistruar gjithashtu rritje me 3.3% në tremujorin e katërt.
Edhe ndërtuesit shprehen optimistë dhe e shikojnë kërkesën për apartamente në rritje. Kjo rritje e kërkesës është reflektuar dhe në çmimin e shitjes, ku në zona të caktuara rritja e çmimit ka qenë 200-300 euro për m2, rritje e cila ka tejkaluar dhe taksën e infrastrukturës. Çmimi për m2 në zonat elitare, si ajo e TVSH-së, ka kapur nivelin e 3 mijë eurove./Monitor