Ekonomi Zgjerimi i Tiranë-Durrës, Balluku: Do të bëhet me katër korsi, ç’do të...

Zgjerimi i Tiranë-Durrës, Balluku: Do të bëhet me katër korsi, ç’do të ndodhë me bizneset dhe shpronësimet

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në konferencën për analizën vjetore të ministrisë që drejton, është shprehur se autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet me nga një korsi, si edhe do të shtohet korsia e emergjencës.

Ajo u shpreh se nuk do të preken rrugët dytësore dhe bizneset, duke shtuar se shpronësimet s’do të jenë masive.

Zv.kryeministrja deklaroi se zonat që preken janë ato që afrohen më shumë me shtratin e rrugës.

“Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës do të marrë nga një korsi secila anë, do të ketë një korsi të plotë secila ana, plus korsinë e emergjencës. Nga studimet që kemi bërë nuk preken rrugën dytësore dhe bizneset, nuk do të ketë shpronësime masive. Mund të ketë disa zona ku afron më shumë me shtratin e rrugës ku do të jetë e nevojshme por është parashikuar një zgjerim, do të kthehet me 3 korsi të plota plus korsinë e emergjencës. Tiranë-Durrës është një nga akset më të rëndësishme por në të ardhmen përdorimi i tij do të jetë më i pakët”, tha në lidhje me këtë çështje Belinda Balluku.

Ndërsa drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dha detaje të mëtejshme.

“Një gangrenë e madhe, e cila ka qenë për përdoruesit e rrugës në Shqipëri ka qenë Tiranë-Durrës, një aks i cili ka qenë ndërtuar përpara viteve 2000 me segmentet e para, ka arritur dhe tejkaluar kapacitetin maksimal të përdoruesve të trafikut. Pra ai aks ka qenë i parashikuar për 30 mijë mjete në ditë që të frekuentohej, ndërkohë që me matjet e fundit që kemi bërë piku maksimal gjatë sezonit ka arritur në 90 mijë mjete. Pra do të thotë që është e nevojshme dhe e domosdoshme që ai aks të zhvillojë zgjerimin e tij. Ne kemi parashikuar që brenda vitit 2024 të hapim fazën e parë dhe mundësisht dhe fazën e dytë të këtij zgjerimi, i cili shkon nga Tirana deri në Vorë. Faza e parë është Tiranë-Kthesa e Rinasit dhe faza e dytë është Kthesa e Rinasit deri në Vorë”, tha Berberi.