Qeveria shqiptare njoftoi se do të shpallë një garë brenda këtij viti për ndërtimin e një aeroporti të ri në Gjirokastër.
Vendimi vjen pas mungesës së interesimit të investitorëve për ndërtimin e një aeroporti që ishte përcaktuar të ndërtohej në Sarandë.
Drejtuesit vendorë dhe përfaqësuesit e bizneseve në Gjirokastër e kanë vlerësuar vendimin si një hap të mëtejshëm për realizimin e përpjekjes së tyre për ndërtimin e një aeroporti në këtë qytet, i cili prej vitit 2005 është përfshirë në listën e pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se është dashur të rishikohen planet për ndërtimin e një aeroporti të ri në jug të vendit.
“Është dashur që të rishikojmë të gjitha planet tona për sa i përket efikasitetit të aeroportit në jug të Shqipërisë. Duke pasur parasysh që ne e kemi një fushë ajrore në Gjirokastër, duke pasur parasysh që infrastruktura, tashmë e ndërtuar që lidh Gjirokastrën me Sarandën, jep mundësinë e një kalimi për jo më shumë se 35 deri në 45 minuta dhe nga ana tjetër duke pasur parasysh që në Shqipëri nuk po zhvillohet vetëm turizmi bregdetar, por po zhvillohet turizmi kudo, shikoni Tiranën që vazhdon të jetë plot vizitorë, apo numrin e vizitorëve që ka pasur Gjirokastra, Përmeti, Tepelena, Korça, aeroporti i jugut është menduar në zonën e Gjirokastrës dhe do t’i shërbejë gjithë zonës, edhe Sarandës dhe Ksamilit”, tha zonja Balluku.
Aktorët vendorë në Gjirokastër e kanë vlerësuar vendimin e ri pasi prej vitesh Forumi për Ndërtimin e Aeroportit dhe qeveria vendore po bënte përpjekje për miratimin e ngritjes së aeroportit.
Llambi Margariti, përfaqësues i Forumit thotë se Gjirokastra fitoi atë që kishte kërkuar prej kohësh, ndërtimin e një aeroporti turistik.
“Gjatë gjithë kohës edhe Bashkia, duke e pasur si pronë të vetën, nuk e la zonën e aeroportit për t’u tjetërsuar nga ndërtimet. Kjo zonë është ruajtur më së miri dhe vitin e shkuar ajo u licensua nga Shërbimi i Aviacionit Civil për fluturimet sportive. Përpjekjet tani do vijojnë më tej, për ta bërë këtë ëndërr realitet“, tha zoti Margariti.
Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë së Gjirokastrës Maksi Hoxha thotë se lajmi është shumë i mirë, sidomos për sipërmarrjet turistike.
“Gjirokastra ka marrë një hov shumë të madh sidomos në fushën e turizmit. Vitet që kaluam e treguan këtë gjë dhe pritshmëritë edhe për këtë vit janë shumë ta larta. Ndërtimi i aeroportit do t’i jepte një shtysë shumë të madhe zhvillimit të turizmit dhe jo vetëm, pasi aeroporti si investim gërsheton një numër të madh biznesesh” , thotë zoti Hoxha.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi thotë për Zërin e Amerikës se ndërtimi aeroportit do të ndihmojë gjithë rajonin turistik.
“Është një lajm pozitiv dhe i dëshiruar jo thjesht për qytetin e Gjirokastrës dhe Qarkun e Gjirokastrës. Këtu po flasim për një ofertë të përbashkët turistike të Sarandës dhe Gjirokastrës. Me këtë numër të turistëve në rritje që ka pasur në 2023 dhe presim në 2024, aeroporti është një pikë e rëndësishme zhvillimi dhe do sjellë më shumë punësim dhe zhvillim ekonomik të kësaj zone“, tha zoti Golemi.
Aeroporti i Gjirokastrës ka një traditë historike. Linja e parë ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë nisi më 11 gusht të vitit 1929 dhe ishte operative vetëm në kushte optimale të motit.
Deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore aeroporti i Gjirokastrës shërbeu për fluturime avionësh të vegjël me Tiranën, Korçën dhe me Brindizin në Itali.
Pak vite më parë në aerodromin e Gjirokastrës nisën të organizoheshin fluturime me avionë të vegjël sportivë. Vetëm vitin e shkuar pati rreth 100 fluturime të këtij lloji./VOA