BRITANI E MADHE- Shoku i dhomës së Leonard Farrukut, i cili vrau veten në “Bibby Stokholm” ka dhënë detaje lidhur me bashkëjetesën me shqiptarin e ndjerë. Por po ashtu ka bërë edhe një apel të fortë, duke u shprehur se edhe të tjerët mund të dëmtojnë veten nëse kushtet në anijen e shndërruar në hotel nuk përmirësohen.
Yusuf Deen Kargbo ndante një dhomë me Leonard Farrukun kur ai u gjet i pavetëdijshëm, në fillim të 12 dhjetorit.
Kargbo i tha BBC News se e kishte 10 ditë që ndante dhomën me 27-vjeçarin.
“Ndonjëherë ai donte të rrinte vetëm. Ai ishte një person shumë i qetë. Atij i pëlqente të ishte vetëm, ulej vetëm duke luajtur me telefonin e tij”.
Ai tha se Farruku nuk dukej i pakënaqur.
“E dëgjoja që qeshte në telefonin e tij, ndonjëherë deri në orën një ose dy të natës, mendova se ndoshta shihte ndonjë video humori në telefonin e tij, aq shumë qeshte”.
Më 11 dhjetor Farruku doli nga kabina pas mëngjesit dhe u kthye rreth orës 18:00.
“Ai vetëm më tha ‘përshëndetje’ dhe shkoi direkt në banjë”.
Kargbo tha se më pas u largua për të ngrënë darkë dhe për t’u lutur. Kur u kthye në dhomë, banja ishte e mbyllur.
“Kur trokita, mendova se nuk kishte njeri në banjë. Trokita, nuk kishte asnjë përgjigje. Trokita, trokita, pa përgjigje. Unë thashë ‘përshëndetje’ por nuk kisha përgjigje.”
Vetëm të nesërmen në mëngjes, kur Kargbo zbuloi se banja ishte ende e mbyllur dhe Farruku nuk ishte në shtratin e tij, ngriti alarmin. Por kuptoi se stafi nuk e mori seriozisht. Por kur hapën me forcë derën e banjës, e gjetën Farrukun pa ndjenja. Ai tha se u përpoqën ta sillnin sërish në jetë dhe thirrën ambulancën. Megjithatë, i riu shqiptar kishte ndërruar jetë.
Kargbo u zhvendos në një hotel pesë ditë pas vdekjes së Farrukut, por ende ka komunikim me shokët e tij në Bibby Stockholm. Ai tha se ende merr ankesa nga ata për ushqimin me cilësi të dobët, dushin me ujë të ftohtë, e të tjera shqetësime që nuk trajtohen kurrë.
“Anija është si burg.”
Kargbo, i cili erdhi në Mbretërinë e Bashkuar nga Sierra Leone, i tha BBC News se njerëzit në anije nuk kanë asnjë shpresë për jetën e tyre.
“Ata thonë se kjo (vdekja e Leonardit) është vetëm fillimi… Ata po përpiqen të japin një paralajmërim, anija nuk është vend i mirë për ta. Çdo ditë stresi po u shtohet dhe po përkeqësohen.”
Maune Bibby Stockholm synohet të jetë një alternativë më e lirë për akomodimin në hotel për ata që presin përgjigjen e kërkesave të tyre për azil. Projekti u propozua si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të reduktuar numrin e njerëzve që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla. Azilkërkuesit e parë hynë në bord në gusht 2023, por ata duhej të zhvendoseshin pas një jave pasi në sistemin e ujit u zbulua bakteri legjionella. Por pavarësisht kritikave, u rikthyen sërish në tetor.