Ish-deputeti i PBDNJ-së Thoma Miço ka zbardhur disa nga prapaskenat për Himarën dhe negociatat Tiranë-Athinë. Thoma Miço foli në A2 CNN me Alba Alishanin për përpjekjet në zgjidhjen e çështjes së bashkisë së Himarës pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të mos pranuar kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak dhe tërheqjes e Jorgo Goros.
Por ndërkohë që në mediat greke u përfol emri i Vangjush Tavos, i propozuar nga kryeministri Edi Rama për postin e kryebashkiakut të Himarës, Miço njoftoi se përveç tij janë edhe dy emra të tjerë.
Bëhet fjalë për gazetarin Ilir Paço dhe biznesmenin Theodhori Çami.
“Kam marrë disa informacione në rrugë private. Zgjidhja është që t’i lihet kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë që të hidhte në tavolinë disa emra dhe derisa të shprehet drejtësia të bëhet zëvendësimi, që bashkia të funksionojë. Përveç Tavos është gazetari Ilir Paço dhe Theodhori Çami një biznesmen nga Dropulli, që nuk kanë lidhje me Himarën”.
Sipas Miços, Beleri nga burgu ka kërkuar që ta zëvendësojë një nga anëtarët e listës së tij.
“Nuk do të doja të ishte në negocim pala greke ne kemi mundësi ta zgjidhim vetë këtë problem Beleri nga burgu ka kërkuar që ta zëvendësojë një nga anëtarët e listës së tij. Është problem shqiptar që mund të zgjidhet dhe kjo do ta zbuste konfliktin dhe Greqia të rishihte mekanizmin e vetos”.
Ish-deputeti thekson se alternativa me këta tre emra dhe emra të tjerë pa konsensusin e Belerit nuk do të pranohet as nga Greqia.
“Ka mundësi të zgjidhet kjo nëse është dëshira e dy palëve dhe duke patur parasysh dëshirën e zotit Beleri. Zëvendësimi i përkohshëm i kryetarit të bashkisë me këto 3 emra pa konsensusin e Belerit, nuk është alternativa më e mirë dhe nuk do të pranohet nga Greqia”.