Policia njofton se ka informacione se plagosja e Zamir Kalemit ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.
Për ngjarjen e rëndë kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 Eurosh.
Një njoftimin zyrtar, policia thekson se Zamir Kalemi është tentuar që të vritet me armë zjarri rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”.
Pas ngjarjes, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyrjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes.
Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin.
Nga verifikimet paraprake, targat e automjetit të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13 Shkurt 2023. Për shkak të shkrumbimit të makinës, nuk është gjetur asnjë gjurmë.
Autorët dyshohet se kanë ndjekur prej disa orësh dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim Zamir Kalemin derisa i kanë dalë paralel në zonën e Selitës, ku edhe kanë hapur zjarr ndaj tij. Sipas hetimeve, rezulton se Zamir Kalemi i ka pikasur autorët dhe ka tentuar të shpëtojë duke devijuar automjetin, ku është përplasur me bordurat ndarëse të rrugës.
Ngjarja dyshohet për hakmarrje pasi i plagosuri rezulton të jetë i afërm i Aleksandër Sadikajt. Ai mbeti i vrarë në zonën e Unazës së Madhe të Tiranës më 11 Qershor 2022 në një atentat me eksploziv që i ishte vendosur poshtë makinës Volksvagen me të cilën udhëtonte.
Zamir Kalemi është edhe vëllai i Andrea Kalemit, i cilit në Gusht të 2023 i shpëtoi një atentati me armë në Greqi, duke mbetur i plagosur rëndë. Nisur nga këto precedente, një nga pistat e hetimit mund të jetë ajo e hakmarrjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.01.2024, rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Zamir Kalemi, i vitlindjes 1983, si pasojë ky shtetas ka marrë disa plagë me armë zjarri, dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyerjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes.
Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin.
Nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY6650, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13.02.2023.
Nga analiza e rrethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro, dhe informacioni mund të jepet në numrin +355694111546, duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi.