Bota ‘Beteja’ e nëndheshme mes shërbimit sekret turk dhe Mossad-it izraelit

‘Beteja’ e nëndheshme mes shërbimit sekret turk dhe Mossad-it izraelit

Turqia arrestoi këtë muaj dhjetëra persona nën akuzat se spiunonin për Izraelin. Arrestimet që kanë bërë bujë shihen si një paralajmërim për Izraelin që të heqë dorë nga vënia në shënjestër e palestinezëve që jetojnë në Turqi, pasi Izraeli paralajmëroi se do të vinte në shënjestër të gjithë ata që ishin përfshirë në sulmin e 7 tetorit.

Autoritetet turke bastisën dhjetëra shtëpi në fillim të janarit, në një operacion të madh ndaj celulave të supozuara të spiunazhit të drejtuara nga agjencia izraelite e zbulimit, Mossad. Bastisjet ndodhën pasi Presidenti Tajip Erdogan paralajmëroi për “pasoja serioze” nëse Izraeli do të përpiqej të godiste militantët palestinezë të Hamasit në Turqi.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Murat Aslan, analist me Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale, një institut kërkimor me qendër në Ankara.

“Është shumë e qartë nga kërcënimet e izraelitëve se Turqia është zgjedhur si një objektiv për sulmet ndaj Hamasit. Në këtë rast, zbulimi turk me urdhër të presidentit e paralajmëroi zbulimin izraelit në Ankara që të mos vepronte. Pas këtij paralajmërimi erdhi paralajmërimi politik, zbulimi turk identifikoi celulat e aktivizuara të Mossad-it në Turqi”.

Izraeli nuk ka komentuar mbi arrestimet, por udhëheqësit ushtarakë dhe ministrat izraelitë janë zotuar të gjurmojnë individët e përfshirët në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, pavarësisht se ku gjenden.

Presidenti Erdogan është një mbështetës i fortë i Hamasit, duke e cilësuar atë shpesh si një lëvizje çlirimtare.

Analistët thonë se Turqia shihet si një objektiv i mundshëm për goditjen nga Izraeli të atyre që luajtën një rol në sulmet e 7 tetorit.

Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Gallia Lindenstrauss, analiste në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

“Analiza e masakrave të 7 tetorit, si ndodhën dhe sa mirë ishin planifikuar, tregon se padyshim që kishte shumë ndihmë nga jashtë dhe shumë gjëra që vinin nga jashtë Gazës. Padyshim që një pjesë erdhi përmes Turqisë, por jo nga qeveria turke, pasi qeveria dhe autoritetet e sigurisë turke nuk i kushtuan vëmendje të mjaftueshme asaj që po ndodhte”.

Ky nuk është rasti i parë i përplasjes mes zbulimi turk, MIT, me zbulimin izraelit, Mossad. Por të dy këto shërbime zbulimi bashkëpunuan kohët e fundit në shkatërrimin e një komploti iranian kundër Izraelit, thotë analistja Gallia Lindenstrauss e Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

“Padyshim që kishte një bashkëpunim të mirë mes zbulimit turk dhe Mossad-it izraelit që çoi në shkatërrimin e një sulmi të pritshëm kundër izraelitëve në territorin turk në vitin 2022. Dy shërbimet e zbulimit janë të njohura për bashkëpunimin e tyre dhe e respektojnë njëra-tjetrën”.

Në dhjetor, autoritetet turke arrestuan anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik të akuzuar për planifikim sulmesh në sinagoga. Ndërsa lufta vazhdon në Gazë, ekspertët thonë se Ankaraja është e vendosur që të parandalojë kalimin e konfliktit në Turqi.

“Turqia nuk dëshiron të jetë shesh lojërash për shërbimet e zbulimit. Prandaj mendoj se zbulimi turk e rriti aktivitetin për të identifikuar saktësisht se kush është i përfshirë dhe në çfarë aktiviteti”, thotë për Zërin e Amerikës Murat Aslan me Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale, institut kërkimor me seli në Ankara.

Turqia është përballuar me sulme terroriste dhe atentate në të kaluarën, çka ka dëmtuar rëndë turizmin dhe ekonominë në përgjithësi. Analistët thonë se Ankaraja është e vendosur që lufta në Lindjen e Mesme nuk do të përhapet nëpër rrugët e Turqisë./VOA