Opinione “Argëto Turmat”, teknika për të kontrolluar shoqërinë

“Argëto Turmat”, teknika për të kontrolluar shoqërinë

Dr. Bledar Kurti

– “Big Brother”

Në vitin 1949, George Orwell shkroi librin profetik “1984” në të cilin Big Brother (Vëllai i Madh) është një personazh dhe simbol i kontrollit diktatorial të pushtetit ndaj shoqërisë. “Vëllai i madh po të sheh” përmendet vazhdimisht në libër, duke injektuar frikën dhe mungesën e lirisë. Parashikimet e Orwell-it u përmbushën me instalimin e regjimit komunist në shumë vende, përfshirë Shqipërinë, kësisoj ky slogan njihet fare mirë nga ne. Por, Orwell-i nuk do e kish menduar kurrsesi se do vinte dita kur në vend që Big Brother të na shohë ne, do e shihnim ne atë. Dhe jo thjesht e parë me moderim por e parë me fanatizëm dhe varësi, pa e kuptuar se teksa njerëzit shohin Vëllain e Madh virtual, Vëllai i Madh real sheh ata, duke i kontrolluar, mpirë e çaktivizuar, përmes teknikës së hershme “Argëto Turmat.”

Në epokën e sotme post-moderniste nuk është më e nevojshme të ngjeshësh rëndë çizmen në fytin e individit, pasi koha ka treguar se shoqëria reagon instinktivisht e ua thyen këmbët sunduesve, ndaj më mirë argëtoi njerëzit që të përhumben me harenë e tyre duke krijuar një varësi afatgjatë, një anastezi për pakënaqësitë, vështirësitë, problemet dhe nevojat bazike. E kështu teksa shoqëria është e investuar emocionalisht dhe mendërisht në ves, shkëputet vëmendja nga çështjet e rëndësishme të jetës dhe vendit.

“Argëto Turmat” shoqëruar me propagandë dhe retorikë të rafinuar është formula më e suksesshme për të futur, jo vetëm disa individë, por një shoqëri të tërë brenda shtëpisë së Big Brother, me shikues Vëllain e Madh të vërtetë i cili shijon lirinë e plotë të drejtimit sipas qejfeve dhe dëshirave të veta.

– Asgjë nuk është ashtu siç duket

Nëse do lexonim apo dëgjonim thënie të tilla, si, “Unë do i kthej vendit shpresë dhe dinjitet,” “Fjalët ndërtojnë ura midis zonave të harruara,” “Më mirë të jetosh një ditë si luan se sa njëqind vite si dele,” “Idetë janë më të fuqishme se armët,” etj, do mendonim se janë citime të njerëzve të mëdhenj. Në fakt, këto janë thënie të njerëzve më të ligë të historisë së njerëzimit: Hitleri, Musolini, dhe Stalini.

Nëse një analist shqiptar do deklaronte në televizion ose gazetë se “Politikë do të thotë të thuash se do bësh diçka ndërkohë që në mendje ke diçka tjetër. Dhe, në fund, nuk bën as atë që the se do bësh e as atë që kishe në mendje të bësh,” të gjithë shqiptarët do mendonin se është shprehje shumë e gjetur, dhe se është saktësisht ajo çfarë ndodh në politikën shqiptare. Por ajo çfarë nuk do e dinte askush është që autori i kësaj thënie është Sadam Hysein.

Si çdo gjë në jetë, por më shumë në politikë, asgjë nuk është ashtu siç duket. Është e vështirë të gjesh sot një shqiptar që nuk pretendon se e njeh politikën. Shumica e shqiptarëve besojnë verbërisht te intuita e tyre politike: ata besojnë se e dinë rezultatin e zgjedhjeve; koalicionet e fshehta; cili do bëhet ministër; cili do bëhet president; çfarë do të thoshte kyryeministri me atë batutën dhe me kë e kishte në veçanti; cili është engjëlli dhe cili djalli i politikës shqiptare; sa deputetë fiton njëra parti e sa humb tjetra, e kështu me rradhë.

Por, pavarësisht, analizave shumë-orëshe në kafenetë e lagjes apo qytetit, shumë pak njerëz janë të aftë ta kuptojnë politikën, sepse ajo nuk është asnjëherë ashtu siç duket, as në rrugë, as në televizion, e as në gazeta. E aq më pak në rrjetet sociale.

Politika është informacion. Dhe të paktë, shumë të paktë, janë ata që zotërojnë informacionin e duhur që të ndihmon të bësh hapa apo lëvizje politike. Janë këta pak njerëz që e orkestrojnë politikën. Këta janë regjisorët, ndërsa të tjerët, qofshin intelektualë apo punëtorë, të arsimuar apo analistë analfabetë në kafenetë e mbarë Shqipërisë, janë thjesht spektatorë të një shfaqje të cilën ata gënjejnë veten se e po e shohin falas.

Në politikë, informacioni është gjëja më e vështirë për t’u siguruar. Ndërsa gjëja më e lehtë dhe më e thjeshtë për politikën është të manipulojë mendjen e njerëzve. Propaganda politike është absolutisht aspekti më komod dhe frytdhënës që ka politika. Rastet në Shqipëri janë të pafundme dhe të përditshme, por më lejoni të përdor një shembull klasik për të ngritur nivelin e argumentit:

Më 8 Janar, 1959, Fidel Kastro hyri fitimtar në qytetin e Havanës në Kubë. Përpara qindra mijërave njerëzve revolucionari i shquar majtist mbajti një nga fjalimet më të rëndësishme të historisë, jo për nga përmbajtja por nga ajo çfarë ndodhi gjatë fjalimit. Teksa Fidel Kastro po fliste për fundin e epokës kapitaliste pro-amerikane të ish presidentit Batista, dhe fillimin e një epoke të re komuniste, të drejtuar nga populli, për popullin, për njerëzit e thjeshtë, për drejtësinë, etj, disa pëllumba të bardhë fluturuan në podium dhe njëri prej tyre ndaloi në supin e Fidelit.

Nëse në atë turmë kishte ndonjë njeri që dyshonte tek ky eksperiment që quhej komunizëm, apo nëse dikush që e dëgjonte në radio ishte i frikësuar nga kaosi që kishte zaptuar vendin, pëllumbi i bardhë në supin e Fidelit dhe ata pëllumbat e tjerë që fluturonin rreth tij shuan çdo dyshim.

Madje, për çdo kuban ajo ishte shenjë hyjnore. Ashtu siç zbriti pëllumbi kur u pagëzua Krishti, ashtu edhe Perëndia dërgoi një pëllumb të bardhë për ti treguar popullit se Fidel Kastro ishte Mesia e Kubës, që ata nuk duhet të kishin frikë se amerikanët dhe investimet e tyre do largoheshin, se kapitalizmi me përfitimet e shumta financiare për vendin do zëvendësohej me skamje dhe diktaturë. Ai pëllumbi shuajti çdo frikë për të ardhmen, ndërsa vetë e ardhmja tregoi se Fidel Kastro instaloi për gjysëm shekulli një nga regjimet më të ashpra në botë, dhe solli një varfëri ekstreme e cila vazhdon edhe sot.

Njerëzit panë pëllumbin “hyjnor” dhe besuan. Por çfarë ata nuk dinin ishte se Luis Conte Agüero, këshilltari i Kastros kishte javë të tëra që stërviste pëllumbat për atë moment.

Në politikë asgjë nuk është ashtu siç duket.

Të gjitha partitë politike kanë ekipet e tyre të propagandës. Ajo që bën dallimin është se cila prej tyre ka ekipin më të ftohtë dhe racional e cila kërkon dhe përpunon informacione si sondazhe, studime, etj, e më pas këshillon bazuar mbi ato të dhëna, e cila prej tyre ka ekipin më emocional e impulsiv që i bën më shumë “selfie” vetes se sa foto titullarit, e i thur lavde kryetarit të partisë se sa i madh ai është, sa thellë do fitojë, dhe i pëshpërit në vesh gjithmonë atë që ai dëshiron të dëgjojë.

Marrëdhëniet me Publikun, ajo që njihet si “Public Relations”, ose thjeshtë PR, janë komplekse dhe kërkojnë njerëz me intuitë dhe aftësi të jashtëzakonshme mendimi dhe kreativiteti. Megjithatë, ka një rregull primitiv që mund ta zbatojë kushdo. Ky rregull është: Argëto turmën.

– Argëto Turmën

Pëllumbi në supin e Fidelit, Koloseu dhe ndeshjet me gladiatorë, dritat e kuqe në Hollandë, vendosja e festave të reja në kalendar, evente sportive e muzikore, festa birrash dhe qoftesh, një barsoletë live në televizion, një fotografi “pa mendje” apo që të bën për të qeshur e një titullari, një letër e një fëmije drejtuar një shtetari, etj, nuk janë të rastësishme. Argëto turmën funksionon më së miri në çdo rast, çdo ditë dhe çdo epokë për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e rëndësishme.

Në politikë asgjë nuk është ashtu siç duket. Ai që deklaron se “Unë nuk do ju tradhëtoj kurrë,” është tradhëtari më i madh, dhe ai që deklaron se “Kjo është e vërteta,” por ju thotë një gënjeshtër të madhe.

“Sa më e madhe gënjeshtra, aq më shumë besohet ajo,” tha Joseph Goebbels, shefi i propagandës së Adolf Hitler dhe regjimit të tij Nazist. Ai gjithashtu tha se “E vërteta është armiku më i madh i shtetit.” Nazizmi dhe Goebbels na lanë shëndenë, por propaganda politike vazhdon edhe sot në forma të reja në këtë epokë post-moderniste që ka zaptuar të gjithë botën. Kjo është arsyeja përse në të gjitha qeveritë e botës rrallë gjendet një shtetar i vërtetë i cili do mbahet mend në histori e i cili apo e cila do mësohet në shkolla nga brezat e ardhshëm, por ka vetëm aktorë skenik që presin duartrokitje dhe ovacione pas çdo interpretimi.

Ka një mënyrë për të shpëtuar nga gënjeshtrat që na serviren çdo ditë, apo ti afrohemi sado pak të vërtetës politike apo retorike. Kërkoni të vërtetën. E vërteta çliron. Edukohuni. Lexoni Kuintilianin dhe veprën e tij “Instituti Oratorisë” ose Aristotelin dhe veprën e tij “Retorika”, shkrimet e Eduard Bernays, e mjeshtër të tjerë të fushës së komunikimit.

Por duke e njohur mirë dashurinë e njeriut të sotëm për rrjetet sociale, dyshoj që librat e trashë, të vjetër dhe të bezdisshëm do arrijnë të marrin kohën nga leximi i vyer i statuseve në Facebook dhe Instagram, apo videove në Tik-Tok, aty ku politika jo vetëm nuk është ashtu siç duket por aty çdo njeri ndihet sikur është mbret, sundues i gjithëpushtetshëm i mbretërisë virtuale, i pavetëdijshëm që është thjesht një i ngujuar pa emër brenda një kafazi me hekura të padukshëm.