Bota Detaje nga vrasja e mafiozit grek/ E qëlluan me 80 plumba, si...

Detaje nga vrasja e mafiozit grek/ E qëlluan me 80 plumba, si u kap në befasi me armë në brez dhe makinë të blinduar

Vangjelis Zabunis, një personazh i njohur i botës së krimit në Greqi, është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme. Ndaj tij është qëlluar me të paktën 80 plumba, teksa po hipte në makinën e blinduar. Mediat greke raportojnë se në makinën e blinduar janë gjetur armë dhe municione, të cilat ai nuk mundi që t’i përdorte për shkak të breshërisë së paprecedentë të plumbave.

Mësohet se në makinën e viktimës u gjet një automatik kallashnikov me dhjetëra fishekë. Ndërsa në trupin e viktimës u gjet edhe një pistoletë Glock, mirëpo goditja e papritur bëri që Zabunis të mos kishte asnjë shans për t’i përdorur armët për t’u vetëmbrojtur.

Pak minuta pas ekzekutimit të Zabunis, në dalje të Athinës u gjet një mjet i djegur, që dyshohet se u përkiste autorëve, e cila ishte marrë me qera vetëm pak ditë para ngjarjes.

Brenda makinës së shkrumbuar u gjetën edhe 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë, armë të përdorura gjatë sulmit mbi 44-vjecarin.

Vrasja

Sipas ELAS, ngjarja ka ndodhur në orën 01:55 të mëngjesit të së dielës në kryqëzimin e rrugëve Frantzis dhe Ilias Ilios, në Neo Kosmos. Tre ose katër agresorë të panjohur të hipur në një SUV I.X, marka Lexus, iu afruan viktimës, i cili sapo kishte dalë nga një pikë karburanti në pronësi të tij dhe po përgatitej të hipte në BMW-në e tij të blinduar.

Sipas dëshmitarëve, autorët, të cilët e kishin plagosur me armë zjarri 44-vjeçarin, ishin tre-katër persona dhe lëviznin në një makinë IX, ndërsa dyshohet se ka pasur edhe një grup të dytë mbështetës, pasi pas vrasjes, është parë edhe një motoçikletë, që me shpejtësi ka ikur nga vendi i ngjarjes. Të panjohurit kanë qëlluar ndaj viktimës me automatik kallashnikov, kur ai ka dalë nga pika e karburantit, që zotëronte.

Viktima është përpjekur të hipë në makinën e tij të blinduar që të shpëtojë nga plumbat, por nuk ia ka dalë. Ekzekutuesit qëlluan 44-vjeçarin me breshëri, derisa u siguruan që ai ka ndërruar jetë. Autorët e dinin se objektivi i tyre kishte një makinë të blinduar dhe ata goditën nga një distancë shumë e afërt. Xhamat antiplumb të BMW-së nuk i kanë përballuar goditjet e shumta.

Në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar (81) predha të kalibrit 7.62 mm. Më pas autorët janë arratisur në L. Athinë, në Çaidar. Atje, persona të panjohur kanë djegur makinën me të cilën kanë kryer ekzekutimin. Makina ishte në pronësi të një kompanie ndërtimi. Njëkohësisht vijon hetimi për gjetjen e motoçikletës që dyshohet se është përfshirë në vrasje, ndërsa nga kamerat e zonës është marrë material vizual për t’u ekzaminuar në kuadër të hetimeve paraprake.

Kush ishte Zabunis

Në të kaluarën, viktima është akuzuar për grabitje dhe zhvatje, si dhe për përfshirje në tentativë për vrasje të një gjyqtari. Në nëntor 2012, ai u akuzua si pjesë e një grupi zhvatësish që vepronin në zona të ndryshme, përfshirë Haidar, Glyfadën dhe Pireun. Në fakt, ai dyshohet se ka dhënë një urdhër për të vrarë kryetaren e gjykatës, Paraskevi Kalaitzis, dyshohet për rrëmbimin e pronarit të anijes Perikli Panagopoulos, por se ka mohuar çdo përfshirje. Dëshmitari kryesor i Prokurorisë në këtë rast ishte kushëriri i kryemafiozit të njohur P.B., i cili kishte zbuluar një plan të mafies greke. Mirëpo, ky plan nuk ka arritur të zbatohet pasi B.Z. u arrestua, sepse ishte pjesë e një grupi zhvatjesh.

Zabunis ishte arrestuar disa herë dhe ishte në top listën e të dyshuarve për disa sulme ndaj bandave të tjera. Ai merrej me edhe kontrabandë të karburanteve dhe pijeve alkoolike, si dhe gjobëvënie.