Agron Kuliçaj ish nën-Drejtor i Policisë së Shtetit ka dëshmuar këtë të hënë në GJKKO, në procesin që po mbahet ndaj Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut.
Kuliçaj tha se në vitin 2008 ai mori një letër nga i dënuari Luftar Reçi ku e informonte për ngjarje kriminale në Tiranë, Durrës dhe Dibër.
Ai nënvizoi se e ka takuar Reçin, por nuk e ka intervistuar pasi nuk e kishte detyrë funksionale.
“Në 2008 Luftar Reçi më është drejtuar me një letër ku fliste për disa ngjarje të rënda në Dibër për trafik armësh, por dhe vrasje të ndodhura në Tiranë dhe Durrës. Në këtë letër flitej për persona që Luftari tregonte se janë autor. Sipas asaj që ishte shkruar në letër në vrasjen e Vajdim Lamajt kanë marrë pjese njerëz si brenda vendit por dhe jashtë, duke iu referuar një të huaji që kishte montuar bombën. Nuk e kam intervistuar unë, sepse se kisha detyre funksionale”, tha Kuliçaj.
Ish-nëndrejtori i policisë së Shtetit tha se në lidhje me rastin u informua Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe çështja i kaloi Krimeve të Rënda.
“Pasi mora letrën e diskutova me Arjan Kuritin dhe Tonin Vocaj dhe shkuan e takuam Luftarin në burgun e Burrelit. Më pas kemi vënë në dijeni edhe Prokuroren e Përgjithshme Ina Ramën dhe drejtues të Krimeve të Rënda. Në i kemi përcjell akte organit të akuzës, e cila e pezulloi hetimin”, tha ai.
I pyetur nga Shullazi nëse e përmendte emrin e tij në letër në lidhje me vrasjen e Vajdin Lamaj, Kuliçaj u përgjigj: “Po e përmendte”!
I penduari i drejtësisë Luftar Reçi rrëfeu të dhëna që çuan në zbardhjen e vrasjeve të bujshme të vitit 2005 të Klodan Saliut në Durrës dhe Vajdin Lames me eksploziv në Tiranë.
Për këtë SPAK ka marrë të pandehur Emiljano Shullazin, Indrit Taullajn, Viktor Ymerin dhe vetë Reçin, ndërsa u arrestua së fundmi dhe ish-kreu i bandës së Durrësit Lulzim Berisha, si i dyshuar i përfshirë në ngjarje.
Në seancën e sotme u paraqiten si dëshmitare edhe dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, që kanë ekzaminuar gjendjen e Reçit me kërkesë dhe vendim të SPAK.
Në ekzaminimin e vitit 2022, ekspertet dolën në përfundimin se Luftar Reçi është i përgjegjshëm për ato çfarë ka deklaruar.
Dëshmia u shoqërua me debate të forta mes tyre dhe avokatëve të të pandehurve, të cilët nënvizuan se për bashkëpunëtorin Reçi ka pasur një tjetër akt ekspertimi në 2013, ku ai rezulton depresiv dhe jo i besueshëm.
Avokatët kërkuan një ekspertizë të re me pedagogë të psikologjisë, profesorë psikiatër, madje edhe me ekspertë të huaj për të vlerësuar gjendjen e tij mendore.
Viktor Imeraj mori fjalën duke iu drejtuar eksperteve në seancë: “Zonjat nuk mbakan mend, mos vuani nga skleroza, na thoni t’ju japim ilaçe?”
Pasi iu tërhoq vëmendje, Imeraj u gjobit me 5 mijë lekë gjobë.
Më pas fjalën e mori Emiljano Shullazi, duke iu thënë dy ekspertëve:
“Si ka mundësi, ju për 50 minuta intervistë, dolët në konkluzione për të, kurse ne këtu 4 orë kur u ballafaquam, s’arritëm ta kuptojmë?”
I pandehuri tjetër, Indrit Rusi pyeti njërën prej mjekeve: “A keni punuar në vitin 2016 në paraburgimin e Durrësit?”
Mjekja iu përgjigj ‘po’.
Rusi i tha: “Më mbani mend, se unë kisha një infeksion në dhëmballë, ti më thoje ke keq bajamet.”
Avokatët po ashtu pretenduan se ekspertiza për Luftar Reçin nga IML, është kryer nën presionin e SPAK dhe se mjekët kanë qenë në dijeni që ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë.