Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, fitoi zgjedhjet paraprake në Ajova të hënën në mbrëmje, në garën e parë të emërimit shtet pas shteti që Partia Republikane do të përdorë për të zgjedhur kandidatin e saj, që do të përballet me presidentin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Trump siguroi më shumë se gjysmën e votave, rreth 51 për qind, ndërsa guvernatori i Floridës Ron DeSantis u rendit i dyti me 21 për qind dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley, menjëherë pas tij me 19 për qind.
“Kjo ishte një përvojë e jashtëzakonshme”, u tha ish presidenti Trump mbështetësve të tij në një fjalim në Des Moines. “Ata thanë, mirë, nëse fitoni me 12 për qind, kjo do të jetë një fitore e madhe. Do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur. Epo, unë mendoj se e kemi dyfishuar atë. Ndihem shumë mirë dhe jam i nderuar nga një shpallje kaq e hershme e fitores. Ne duhet të rimarrim vendin tonë. Kjo është koha që vendi ynë të kthehet së bashku, pavarësisht nëse jeni republikanë apo demokratë, është koha të mblidhemi dhe të zgjidhim problemet”, tha Trump.
Ai falënderoi rivalët e tij republikanë në garë Ron DeSantis dhe Nikki Haley, si edhe bashkëshorten e tij Melania.
Ish-presidenti akuzoi presidentin aktual Joe Biden si më të keqin në historinë e SHBA, dhe tha se gjyqet kundër tij ishin “ndërhyrje në zgjedhje” e projektuar nga presidenti.
Shifra që kandidatët do të shikojnë gjatë gjithë procesit të emërimit është numri i delegatëve, meqë një kandidat fiton emërimin nëse fiton shumicën, që është 1215 delegatë.
Rëndësia e Ajovas si gara e parë në kalendar është relativisht e vogël për sa i përket delegatëve, me Trump që fitoi 20, DeSantis që mori tetë dhe zonjë Haley me shtatë delegatë.
Tre kandidatët kryesorë shfaqën besim pas zgjedhjeve paraprake të së hënës, ndërsa bëhen gati për garën e radhës në New Hampshire javën e ardhshme dhe zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut në fund të muajit shkurt.
Haley e cilësoi veten si një “gjeneratë e re e udhëheqjes konservatore” ndërsa foli me mbështetësit e saj, ndërsa i vlerësoi rezultatet e së hënës dhe kalendarin e ardhshëm të zgjedhjeve paraprake si ngushtim të garës në mes saj dhe kandidatit kryesor Donald Trump.
“Kur shihni se sa mirë po ia dalim në New Hampshire, në Karolinën e Jugut dhe më gjerë, mund të them me siguri që sonte Ajova i bëri zgjedhjet paraprake republikane një garë mes dy personash”, tha zonja Haley.
DeSantis e përshkroi kandidaturën e tij si një “shpresë për të ardhmen e këtij vendi” ndërsa falënderoi mbështetësit, pavarësisht asaj që ai e shihte si një fushatë “të gjithë kundër nesh” në Ajova.
“Kemi shumë punë për të bërë, por mund t’ju them këtë, si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, unë do ta bëj punën për këtë vend”, tha DeSantis.
Zgjedhjet paraprake të së hënës i dhanë fund fushatës së ndërmarrësit të bioteknologjisë Vivek Ramaswamy.
Pasi u rendit i katërti me 7.7 për qind të votave, Ramaswamy njoftoi pezullimin e fushatës së tij për president dhe mbështetjen për Trump.
Edhe para votimit në Ajova, mungesa e mbështetjes u dha fund disa fushatave të tjera republikane, duke përfshirë atë të zëvendëspresidentit të Trumpit, Mike Pence, ish-guvernatorit të Nju Xhersit, Chris Christie dhe senatorit të Karolinës së Jugut, Tim Scott.
Ndërsa gara është ngushtuar, republikanët nuk do të emërojnë zyrtarisht kandidatin presidencial deri në konventën e partisë së tyre në korrik, ndërsa demokratët pritet të emërojnë zotin Biden si kandidatin e tyre në një konventë në muajin gusht.
Shumica e analistëve politikë dhe anketave parashikojnë një tjetër garë midis dy politikanëve të moshuar, Donald Trump, 77 vjeç dhe Joe Biden, 81 vjeç.