Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi futjen e një “leje lindjeje” gjashtëmujore për të dy prindërit.
Shkak për këtë iniciativë të menjëhershme të Macron, u bë publikimi i raportit nga Instituti Kombëtar i Statistikave, i cili ngriti alarmin për rënien e ndjeshme të lindshmërisë, që ishte në shifrat më të ulëta që pas luftës (më pak se 700 mijë fëmijë të lindur në 2023).
Macron teksa nënvizoi rënien e lindshmërisë, foli dhe për rritjen e infertilitetit, duke bërë që “shumë burra dhe gra të vuajnë.” Ai gjithashtu njoftoi një “plan të madh kundër kësaj plage”.
Presidenti francez dëshiron ta shikojë të ardhmen me optimizëm, duke premtuar një sërë masash për ardhjen e një vendi “më të fortë dhe më të drejtë”.
Pavarësisht krizave të tilla si lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, ai u tha qindra gazetarëve francezë dhe ndërkombëtarë në Elysee: “Jam i bindur se ne kemi të gjitha cilësitë për të pasur sukses. Jam i bindur se historia jonë e përparimit nuk ka përfunduar dhe se fëmijët tanë do të jetojnë nesër më mirë se ne sot”.
Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2023, lindjet ishin vetëm 678,000, një rënie prej 6,6% nga viti i kaluar, niveli më i ulët që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Për të korrigjuar këtë situatë, Macron njoftoi masën e re. “Pas zgjatjes së lejes së atësisë – saktësoi ai – besoj thellësisht se futja e një leje të re lindjeje mund të jetë një element i dobishëm i një strategjie të tillë” për rinisjen e lindjeve.
Macron premtoi gjithashtu një “plan të madh kombëtar” kundër “infertilitetit mashkullor dhe femëror, i përcaktuar si “tabuja e madhe” e kohës sonë.