Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon që kushdo që ka dyshime për të, t’i drejtohet SPAK-ut. Madje premton se nëse akuzat vërtetohen është i gatshëm të heqë dorë nga imuniteti.
“Nuk merrem me çështjet, merren me personin. Unë kam bërë propozime konkrete: E para është reforma zgjedhore, nuk merren me të. E dyta është vetingu i politikanëve, kontroll i detajuar i pasurisë së çdo politikani dhe familjari të politikanit. Heqja e imunitetit për çdo deputet, urdhëro merru me çështjen. Nuk duan të merren me çështjen dhe fillojnë me sulme personale. Kush ka dyshimin më të vogël për mua t’i drejtohet SPAK-ut, unë ju premtoj që vullnetarisht heq dorë nga imuniteti”.
Të gjitha akuzat në drejtim të tij, Basha i cilëson sulme e shpifje.
“Por të përdorësh sulme, gënjeshtra të faktuara publikisht, globalisht, të shpifësh, të sulmosh… Dy vjet me radhë nuk kanë lënë gjë pa thënë, për mua, për familjen time. Të njëjtat akuza që bënte Edi Rama i morën këta, dhe pasi u lodhën me ato akuza dhe e panë që nuk shkuan gjëkundi, ia dhanë aksionistëve të rinj. Asnjë problem nuk ka. Unë e kuptoj që kultura politike në Shqipëri ka ndërtuar këtë stereotip, që nuk merresh me çështjen, merresh me personin. Por kjo nuk është kultura ime politike, mënyra sesi e shoh unë Shqipërinë e të nesërmes. Ndaj i ftoj të gjithë, edhe denigruesit, edhe sulmuesit, të votojnë ligjin për vetingun politik. Votoni ligjin për vetingun politik, të kalojë në sitë çdo politikan. Fillojeni me mua. Kush i është përgjigjur kësaj deri më sot? Askush”.