Kryesore “Do shkoj sa herë të më thërrasin”, Berisha tregon se çfarë e...

“Do shkoj sa herë të më thërrasin”, Berisha tregon se çfarë e pyetën prokurorët e SPAK: U përmbajtja që të mos i fyeja

Sali Berisha deklaroi në ambientet e jashtme të SPAK se do të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij sa herë që prokurorët ta thërrasin.

Ish-kryeministri zbuloi para gazetarëve disa nga pyetjet që iu bënë nga prokurorët e SPAK, duke i cilësuara ato si mediokre dhe të përgatitura në zyrat e Edi Ramës.

“Nuk e mor vesh se kush drejtonte më shumë, ata mua apo unë atyre. Pyetje konkrete? Kishin marrë një listë personash, a i njeh ti këta? Se nga e kishin marrë listën, nga zyrat e Edi Ramës.

Pyetje tjetër, se çfarë pune ka bërë Abi Malltezi. Pyetën a ke dijeni ti për aktin e kontrollit të këtij kolonelit apo gjeneralit? Një trillim i mirëfilltë i tyre se ai akt nuk ka asnjë lidhje me privatizimin. Është një mashtrim i mirëfilltë i tyre. Ai kontroll është ushtruar sepse gjenerali për një arsye apo një tjetër, mbante peng sendin e blerë nga pronarët.

Privatizimi kishte përfunduar dhe me muaj të tëra, ai objekt shfrytëzohej në mënyrë mafioze nga Paro Laçët dhe ata që paguante Paro Laçi. Edhe njëherë qartësoj se qëndrimet e gjeneral Qirjazit nuk kishin asnjë lidhje, sepse procesi i privatizimit kishte përfunduar 14 muaj më përpara. Pyetja e dytë ishte për letrat me vlerë. U përmbajta që të mos i fyeja”, tha Berisha.

Berisha dëshmoi për rreth dy orë në SPAK si person nën hetim për aferën me ish-kompleksin “Partizani”.

Ishin prokurorët Enkeleda Minollai dhe Arben Kraja ata që i drejtuan pyetje Berishës, ndërkohë që para nisjes së seancës pati forca të shtuara policie para Strukturës së Posaçme.

Pyetje: A do të paraqiteni prapë nëse do ju kërkohet?

Sali Berisha: Sa herë të thirrem, edhe një herë zonjë. Sali Berisha ka deklaruar dhe deklaron se do paraqitet për pyetje sa herë të thirret. Nuk mund të ketë asnjë ekuivok në paraqitjen time në prokurori, në gjykatë, sa herë të thirrem.

Pyetje: A kishte prova konkrete zoti Berisha?

Sali Berisha: Prova? Asnjë provë mor. Çfarë provash mor? Kishte mashtrime. Kishte riciklim të mashtrimeve. Mjeranë, që ripërsërisnin trillimet e tyre se ligji thoshin. Kur u tregova ligjin e 2004-ës dhe nenin që detyron shtetin që çdo pronë që nis të propozohet për tjetërsim, t’i jepet të shpronësuarit. Por ata kishin fshehur siç kanë fshehur qindra dokumente të tjera për të montuar piramidën politike të urdhëruar nga Edi Rama.

Pyetje: Cilat ishin pyetjet konkrete që ju drejtoi SPAK?

Sali Berisha: Nuk u mor vesh kush u drejtoi pyetje më shumë, ata mua, apo unë atyre. Tani pyetje konkrete kishin marrë një listë personash, a i njeh ti këta se nga e kishin marrë listën, nga zyrat e Ramës. Pyetje tjetër, se çfarë pune ka bërë Abi Malltezi. A mund të imagjinosh pyetje të tilla. Ishin aq mediokre saqë nuk mund të memorizoheshin.

Genc Gjokutaj: Pyetjet ishin jashtë procedurës. Ju duhet të dini vetëm kaq. Ardhja e zotit Berisha sot këtu ka rrëzuar masat e sigurimit të marra mbi pretekstin e mosparaqitjes në prokurori dhe kjo është rrezikshmëria e Sali Berishës ku sot i paraqitur në prokurori është në arrest shtëpie. Ka rënë komplet masa e sigurimit dhe të gjitha. Sot në prokurori nuk kishte asnjë pyetje që t’i referohej një prove. Ne këtë i kërkuam. Na jepni aktet, as të vjetra, as të reja.