Aktualitet U godit nga makina tek vijat e bardha para 9 ditësh, vdes...

U godit nga makina tek vijat e bardha para 9 ditësh, vdes 36-vjeçarja në Tiranë. Arrestohet shoferi

Ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme 36-vjeçarja e aksidentuar para 9 ditësh në vendkalimin e këmbësorëve në lagjen “Ali Demi” në Tiranë.

Ajo u dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht nuk mundi që t’i mbijetojë dëmtimeve të marra nga përplasja.

Policia njofton se një ditë pas aksidentit (15 janar 2024) është arrestuar shoferi i mjetit tip “Skoda”, 22-vjeçari me iniciale R.A. Sipas policisë, nuk janë konstatuar mangësi në mjetin që drejtonte i riu. Pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar se 22-vjeçari nuk kishte konsumuar alkool.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në lidhje me një lajm të publikuar në portale, i cili bën fjalë për një aksident të ndodhur në lagjen “Ali Demi”, ju informojmë se:

Më datë 15.01.2024, në orën 01:30, është bërë arrestimi i shtetasit R. A., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe materialet i kanë kaluar për veprime të mëtejshme procedurale, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Ky shtetas, më datë 14.01.2024, rreth orës 23:00, në lagjen “Ali Demi”, në afërsi të shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, (në drejtim të Shkozës), në vendkalimin e këmbësorëve, ka aksidentuar shtetasen M. F., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila si pasojë e aksidentit është dëmtuar dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit tip “Skoda”, që drejtonte shtetasi R. A., nuk janë konstatuar mangësi, si dhe pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, nuk kishte konsumuar alkool.

Mbrëmjen e sotme, si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti, shtetasja M. F., ka ndërruar jetë.

Policia po vazhdon kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.