Aktualitet Shefi i SPAK: Duam që për 5 vite të bjerë miti i...

Shefi i SPAK: Duam që për 5 vite të bjerë miti i pandëshkueshmërisë

Kreu i SPAK, Altin Dumani në takimin e zhvilluar në Universitetin e Shkodrës

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim me studentët në qytetin e Shkodrës u shpreh këtë të enjte se Prokuroria e Posaçme po tenton të thyejë mitin e pandëshkueshmërisë, pavarësisht emrit apo pushtetit të individit.

“Objektivat janë që pas 5 vitesh SPAK të ketë dhënë prova që në Shqipëri ka rënë miti i pandëshkueshmërisë, domethënë që zyrtarët e nivelit të lartë do merren në përgjegjësi penale”, u shpreh ai, teksa shtoi se ky është “objektiv i arritshëm.”

Në një takim informal në Shkodër, Dumani tha se SPAK po i jep fund pandëshkueshmërisë dhe po shkon përtej emrave apo pushtetit që kanë pasur disa individë, ndërsa theksoi se SPAK i ka të gjitha kapacitetet për t’u përballur me grupet kriminale.

“Kemi kapacitet për t’u përballur me grupet e strukturuara kriminale, kemi dhëne prova. Ne çdo ditë hetojmë, marrim persona në hetim. Ne po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme, e vështirë, por ne po bëjmë pavarësisht emrit apo pushtetit që kanë pasur individët. Në SPAK kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës me metoda speciale. Kemi përdorur të ardhurat nga pasuritë e konfiskuar dhe kemi investuar në teknologji”, tha Duaman

Dumani theksoi se SPAK ka pavarësi totale të garantuar nga Kushtetuta dhe se suksesi i Strukturës së Posaçme varet nga integriteti i vetë prokurorit dhe gjykatësit.

“Për të qenë të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit duhet legjislacion i mirë dhe struktura të specializuara dhe këto struktura duhet të kenë pavarësi. Ne kemi pavarësi totale, e garantuar nga Kushtetuta. Nuk kemi marrëdhënie varësie me pushtetet e tjera. Por gjithçka varet nga integriteti i secilit prokuror dhe gjykatës. Mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin”.

Bashkëbisedimi në fjalë u mbajt në Universitetin e Shkodrës dhe vjen në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për luftën kundër korrupsionit.