Jannik Sinner bën të madhin përballë Novak Djokovic. Tenisti italian eliminoi numri një të botës në gjysmëfinalen e Australian Open falë një fitore me shifrat 3-1. Dy setet e para nuk kishin shumë histori dhe u dominuan tërësisht nga 22-vjeçari, që e mposhti serbin 6-1 dhe 6-2.
Seti i tretë pati nevojë për “tie-break” që shkoi për Djokovic me shifrat 7-6 (8-6), por edhe në këtë set, Sinner e pati mundësinë për ta mbyllur ndeshjen, por nuk ia doli. Megjithatë, në setin e katërt, Sinner u rikthye dominues dhe e mbylli me shifrat 6-3 duke arritur kështu finalen e parë Grand Slam në karrierë dhe duke eliminuar fituesin e 10 turneve Australian Open. Falë këtij suksesi, italiani i jep fund edhe ecurisë prej 33 fitoresh radhazi të Noles në tokën australiane. Hera e fundit kur Djokovic mposhtej në Australian Open ishte në vitin 2018, në turin e 1/16-tave ndaj koreano-jugorit, Hyeon Chung.
Sinner duket se ia ka marrë dorën Novak Djokovic, teksa e ka mposhtur në tre nga katër përballjet e fundit ndërsa kjo fitore mund të konsiderohet edhe si një “hakmarrje” e talentit italian për atë eliminim përballë serbit në gjysmëfinalen e Wimbledon gjashtë muaj më parë.
Tashmë, me një biletë për në finale, Sinner do të presë të përballet të dielën për titullin e parë Grand Slam në karrierë me fituesin e çiftit, Daniil Medvedev-Alexander Zverev.