Aktualitet “Mjekët mund të punojnë privatisht jashtë orarit”, Rama tregon edhe se çfarë...

“Mjekët mund të punojnë privatisht jashtë orarit”, Rama tregon edhe se çfarë i thanë mjekët shqiptarë në Gjermani

Pas spitalit memorial të Fierit, karta e autonomisë spitalore është marrë edhe nga QSUNT dhe 4 spitale rajonale (Vlora, Shkodra, Durrës, Lezhë).

I pranishëm në konferencën e mbajtur për këtë qëllim, kryeministri Edi Rama tha se përmes këtij hapi brenda vitit synohet që në këto spitale të hapet praktika e dyfishtë, ku mjekët do kenë mundësi të ofrojnë shërbim privat jashtë orarit të punës në ambientet e spitalit.

Sipas tij mjekët mund të marrin 70% të pagesës, ndërsa 30% do t’i kalojë spitalit.

“Sot jemi në një fazë tjetër, sot hyjmë në një kapitull të ri falë edhe faktit që Spitali Memorial shërbeu për të pilotuar autonominë menaxheriale dhe brenda vitit synojmë që të hapim në këto spitale që do të marrin certifikatën e autonomisë menaxheriale edhe praktikën e dyfishtë. Pra mjekët që punojnë në këto spitale dhe që janë të dëshiruar dhe janë të kërkuar nga qytetarët për të ofruar shërbim përtej orarit të punës, të shfrytëzojnë spitalin, të shfrytëzojnë të gjithë aparaturat dhe kushtet e spitalit për të ofruar një shërbim ekstra që është një shërbim me pagesë, ku 70% të pagesës do e marrë mjeku dhe 30% do t’i mbetet spitalit. Në këtë mënyrë hyjmë më në fund në Europë në kuptimin e konceptimit të sistemit publik si një sistem ku mjekët nuk janë rrogëtarë, ku mjekët nuk janë të detyruar të shohin majtas-djathtas dhe të gjejnë mënyra si të ikin për të shkuar tek privati, për të shtuar diçka në rrogën e tyre, por ku të gjithë mjekët paguhen me rrogë dinjitoze dhe pastaj çdo mjek që mund të punojë më shumë dhe që kërkohet nga qytetarët për t’u shërbyer atyre të mund punojë jashtë orarit dhe të paguhet drejtpërdrejt nga kjo praktikë. Kjo është njëra anë”, tha Rama.

Sipas tij, kjo do të jetë një formë për të nxitur konkurrencën e ndershme mes mjekëve, por që do të reflektohet edhe në shërbim për qytetarët. Për rrjedhojë, Rama është i mendimit se kjo mund të ndikojë edhe në uljen e largimeve të mjekëve drejt Gjermanisë, siç ka ndodhur kryesisht. Madje, për këta të fundit ka pasur edhe një mesazh.

“Shpërblim i mjekëve në bazë të meritës, interesi për të punuar do jetë më i lartë, konkurrenca më e fortë, kush do të shkojë në Gjermani të na marrë të keqen, jam i bindur që vitet e ardhshme do të shënojnë një kthesë edhe në këtë aspekt. Në vizitën që bëra në Mynih më kanë takuar disa mjekë shqiptar që punojnë atje, jo stazhier, por shumë të mirë të pozicionuar që më kanë shprehur interesimin që të kthehen dhe të punojnë në sistemin publik shqiptar, ka shumë arsye për ta bërë këtë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe një bashkëbisedim që ka pasur me disa mjekë shqiptar në Gjermani, ku u shpreh se mesazhi që kishte marrë nga ata, ishte shumë motivues.

“Do ta përkufizoj vetëm me një fjalë që dëgjova nga ata, njëri prej tyre tha “kam 12-13 vite në Gjermani, punoj në një nga spitalet më prestigjioze, kam të gjitha kushtet profesionale, paguhem njësoj si një mjek gjerman, por jam bosh dhe kur mendoj që ikën 14 vjet dhe kështu mund të ikin vitet e tjera dhe një ditë të bukur mund të gjendem në kushtet e pensionit, me kolegë që as nuk zihesh dot, atëherë kam frikë se do të kem një hall shumë të madh, kështu që dua të kthehem në Shqipëri”. Dhe kjo ndjenja e boshllëkut dhe shumë dije mund t’i vihet në shërbim vendit dhe mund të marrin mbrapsht disa kënaqësi që s’i marrin nga paga, këtë kuptova nga ata të tre”, përfundoi Rama.